Berisha: Rama nuk fali gjobat për fshatarët, por amnistoi Gjikurinë, Qefalinë e të tjerët me një shumë të paktën 70 milionë euro

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi mazhorancën dhe Edi Ramën se miratoi një ligj në kuvend që ti falë gjobat jo fshatarëve shqiptarë, por biznesmenët si Gjikuria, Qefalia etj., shumë që kap të paktën 70 milionë euro.

Sali Berisha: Në maratonën e gjatë të parlamentit, ju konstatuat një ligj të vullnetit të mirë, të bamirësisë, të faljes së gjobave ‘fshatarëve’. Por nga hulumtimi dhe investigimi del se fshatarët e atij ligji janë Gjikuria, të cilit Edi Rama i fali 2.1 miliardë lekë. Dhëndri i Qefalisë, 300 milionë lekë për resortet e mëdha. E dini ato gjobat që thanë se janë për dritaret e fshatarëve dhe gozhdat që kanë ngulur në hajate? Ky është ligji, ta dinë shqiptarët.

Është lista e bizneseve të tjera, të cilat ndodhen në zonat rurale. Pra, këto jo vetëm që u falën dje, sepse kanë paguar mirë deputetët dhe Edi Ramën, por këta fill pas heqjes së gjobës, fitojnë të drejtën e legalizimit, u legalizohen objektet e ndërtuara. I kanë ndërtuar pa leje, i gjobitën, tani u heqin gjobën dhe i legalizojnë. Pra, dhuratat e fundvitit të qeverisë për rrethin e saj, për famozin Gjikuria, për Qefalinë dhe dhëndrin e tij dhe për biznesmenë të tjerë që kanë ndërtuar në zona rurale, resorte apo agrokomplekse, shkojnë në mbi 70 milionë euro.

Shkojnë dyfishi i asaj që qeveria bëri për 800 mijë pensionistë. Falënderoj shumë qytetarin dixhital për këtë informacion të çmuar që solli dhe i çori maskën edhe një ligji që vetëm për fshatarët nuk mund të ishte. Sepse ai ligj për këto gjëra të tilla ishte zhvlerësuar nga Gjykata Kushtetuese, përkundrazi do ktheheshin.

E vërteta është se ndodhi me këtë ligj e njëjta gjë siç veproi Ulsi Manja me ligjin e amnistisë. Ligji i amnistisë përjashtonte të gjithë ata që ishin të dënuar nga gjykata speciale dhe të hetuar nga prokuroria speciale. Ulsi Manja, përkundrejt shumave përrallore që ka marrë, ka shkelur ligjin dhe ka gjetur variante për të amnistuar të paktën, ka shifra të ndryshe, por e sigurt është se 30-40 janë amnistuar në kundërshtim me ligjin, duke shfrytëzuar teknikalitete me të cilat ai ka marrë një shumë përrallore për të nxjerrë nga burgu ata që nuk duhet të dilnin nga burgu. Është identike situata. Edhe këtu bënë ligjin gjoja për fshatarët, por ky është ligji për të amnistuar Qefalinë, Gjikurinë, etj me radhë.


Shtuar 20.12.2024 13:19

Tags: ,