Projektligji/ Anulimi i gjobave, zbardhen kërkesat e Grupit të PD: Të shtohen subjektet përfituese

Grupi Parlamentar i PD propozon ndryshime në projektligjin për anulimin e gjobave, pas propozimit të mazhorancës.

Demokratët kërkojnë që të shtohen subjektet përfituese, teksa argumenton katër pikat.

“Mazhoranca socialiste ka propozuar që të anulohen te gjitha masat administrative të pa ekzekutuara, te vendosura nga data 1 janar 2015 deri ne 30 nëntor 2024 ne zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore te Mbrojtjes se Territorit, Inspektoriatit Qendror i Mbrojtjes se Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ne te gjithë territorin e Republikës se Shqipërisë. Por për grupin Parlamentar të PD kjo është një masë e pamjaftueshme”, shprehet grupi i PD.

Grupi Parlamentar i PD ka propozuar që:

1- Të anullohen të gjitha masat administrative të vednosura sipas nenit 52, pika 1, shkronja “e”, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim, që është shfuqiuar si papajtueshme me Kushtetutën, me vendimin nr. 15/2022 të Gjykatës Kushtetuese, që nga data e hyrjes së ligjit në fuqi e deri në momentin e shfuqizimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

2- Të anullohen të gjitha detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike dhe ujin deri në datën 30 nëntor 2024 për shtresat në nevojë, duke përfshirë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar.

3- Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku me kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

4- Të anullohen të gjitha masat administrative së bashku kamatëvonesat të vendosura deri në datën 30 nëntor 2024 për mosrespektimin e afateve në procedurat tatimore dhe/ose mospagimin e taksës së pronës.

Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD argumenton që në kuadër të parimit të barazisë përpara ligjit të gjithë personave fizikë dhe juridikë që do të ishin subjekt përfitues sipas ligjit nëse nuk do të kishin kryer ekzekutimin e masave administrative përpara hyrjes në fuqi të tij, në bazë të parimit iu kthehen shumat e paguara dhe kthimi i shumave të bëhet nga institucionet e ngarkuara me zbatimin e këtij ligji brenda datës 31 janar 2025.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kanë qenë gjithnjë kundër qasjes arrogante dhe arbitrare të qeverisë socialiste për të ndëshkuar qytetarët dhe bizneset me gjoba të larta apo masa të tjera administrative, përpara kryerjes së të gjithë përpjekjeve për informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tyre mbi detyrimet që rrjedhin nga ligji dhe sanksionet në rast moszbatimi të ligjit.

Megjithatë, qeveria socialiste ka vazhduar të ndëshkojë qytetarët me gjoba dhe penalitete të larta, të cilat në raste të caktuara kanë rezultuar me pasoja shumë të rënda për qytetarët tanë, të cilat në pamundësi për shlyerjen e detyrimeve, kanë konsumuar veprime që kanë përfunduar në burg ose më fatalet i kanë dhënë fund jetës së tyre.


Shtuar 18.12.2024 11:21