Fevziu: Me kaq të rinj sa largohen, Shqipëria rrezikon të kthehet në azil pleqsh!

Blendi Fevizu ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ndër të tjera foli edhe për shpopullimin e vendit.

Fevziu tha se Shqipëria rrezikon të kthehet në një azil pleqsh për shkak të largimit të të rinjve, ndërkohë që tha se sektorët kryesorë të ekonomisë kanë nevojë urgjente për punonjës.

“Të rinjtë shohin që situata ekonomike është shumë e vështirë dhe nuk u lejon një ecje normale. Imagjinoni një të ri që vjen nga një zonë periferike. Marrim Kolonjën meqë e përmendëm, mbaron studimet në Tiranë dhe do të fillojë punë, me çfarë do të jetojë? Si do ta blejë shtëpinë me këto çmime që janë? Si do të jetojë? Ka pikëpyetje të madhe. Një pjesë e emigracionit të të rinjve, vjen pikërisht nga kjo. Ky vend është shumë i vështirë për jetësën e të rinjve. 73% e të rinjvë, po të kishin mundësi do të largoheshin. Mund të kthehet Shqipëria në një azil të madh pleqsh.

Ne mendojmë se industria bazë në Shqipëri do të jetë turizmi dhe bujqësia, këto janë fushat kryesore. Turizmi kërkon njerëz dhe bujqësia kërkon njerëz. Nëse shqiptarët do të vazhdojnë të ikin, do të kemi probleme serioze, ose do të mundohemi të marrim të ardhura nga jashtë.

Edhe unë them në ndonjë moment, shiko ku ishim, si ishim dhe i mban mend kohët e tmerrshme që ishim. Por vajza ime më sheh në dritë të syrit dhe thotë ç’më duhet mua se si ke qenë ti? Pse duhet të jem unë kaq me diferencë me bashkëmoshatarët? Ne kemi bërë shumë, por a kemi bërë aq sa kishim mundësi të benim për 33 vjet? Në vendet e Gjirit Persik përshembull, para 50 vitesh nuk kishin asgjë, sot janë kthyer në qendër të botës. Do të thuash se zbuluan naftën, gazin, por edhe ne jemi në mes të Europës, ka të bëjë edhe pozita gjeografike.

Nuk mendoj se është justifikim edhe pse e themi shpesh. Në fund të fundit, nuk të kujton pak prindërit, që thoshin e ta dinit ju si ishim ne… Por njeriu që vjen nuk do t’ja dijë si ka qenë, por si është”, tha Fevziu.


Shtuar 16.12.2024 22:56