Gazetarja Ola Xama, e cila ka publikuar fakte të shumta lidhur me kryebashkiakun Veliaj dhe dyshimet për përfshirjen e tij në afera korruptive, deklaron se po shantazhohet prej këtij të fundit. Xama thotë se sa herë flet për Veliajn, sulmohet nga media dashamirëse me të.
Kujtojmë se gazetarja Xama, u shënjestrua drejtpërdrejt nga Veliaj pak kohë më parë, duke u etiketuar si “vrasëse me pagesë”, çka nxiti reagimin e disa organizatave të mediave.
“Erion Veliaj është një zyrtar publik, dhe si i tillë e ka ditur që prej marrjes së detyrës që do apo nuk do ai, do të bëhet pjesë e debateve publike në media sa i takon llogaridhënies në raport me detyrën dhe pasurinë e tij.
Prokuroria e Posaçme njoftoi ditën e premte se është duke hetuar pasurinë e tij dhe të familjarëve të tij, fakt që e ka pranuar publikisht dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Nisur nga këto të dhëna, ditën e hënë në emisionin “Të Paekspozuarit” kam raportuar mbi pasurinë e deklaruar të z.Veliaj dhe bashkëshortes së tij, deklarata që janë publike.
Duke qënë se hetimet kanë përfshirë dhe vëllain e z.Veliaj, kam raportuar se si kishte blerë 10% të aksioneve në një kompani për 100 euro dhe pas ardhjes pushtet të Erion Veliajt, firmat e tij kanë krijuar afërsisht 30 milion euro të ardhura dhe 4.5 milion euro fitime.
Asnjë gjë jashtë asaj që është publike në bilancet e deklaruara të kompanive, dhe pa i bërë gjyqin askujt, por vetëm duke shtruar për diskutim çështjen: si ka mundësi që në Shqipëri kanë biznese të suksesshme vetëm familjarët e njerzve në pushtet?
Përgjigjja nuk vonoi, por erdhi përmes një faqeje online të cilën e kam paditur civilisht për shpifje, ku unë akuzohem se kam marrë para nga qeveria.
Sa herë që raportoj çështje të cilat nuk i pëlqejnë kryetarit ose drejtorëve të bashkisë, kjo faqe bashkë me disa portale të tjerë nisin sulmin.
Të jetë rastësi, apo mos ka ardhur koha që drejtorët e bashkisë Tiranë dhe vetë kryetari i saj të hetohen për shantazh ndaj gazetarëve?Dhe m.q.s. ka dy vjet që e kanë bërë si refren se unë kam marrë fonde publike, i ftoj në gjykatë të më sjellin një dokument që e provon këtë. Për të tjerat, “pushka top”, le të vazhdojnë se as nuk kam bërë e as nuk kam marrë ndonjë gjë që më bën pis. Llumi ku jeni zhytur nuk lahet dot duke më hedhur baltë mua.”