Këtë të mërkurë, babai i Martin Canit që u vra pranë Shkollës “Fan Noli” në Tiranë, Ëngjëll Cani, ka dhënë dëshmi në Policinë e Tiranës rreth ngjarjes.
Cani dëshminë e ka dhënë për llogari të hetimeve që drejtohen nga Prokuroria e Tiranës. Ai ka deklaruar se nuk është vënë në dijeni nga shkolla, apo instancat e tjera rreth një konflikti që ka pasur 4 ditë para ngjarjes i biri me autorin e vrasjes.
Ai ka deklaruar se informacioni i parë qe ka marrë, ka qenë vetëm në momentin që Martini ishte dërguar në spital dhe për këtë është njoftuar bashkëshortja e tij dhe se nuk ka pasur dijeni për asnjë konflikt të të birit nga shkolla.
Teksa është pyetur nga grupi hetimor nëse familja e autorit i ka kontaktuar apo takuar pas ngjarjes, Engjëll Cani shprehet se nuk e kanë kontaktuar deri më tani.
Po ashtu, babait të Martinit i janë kthyer nga policia edhe sendet e të birit, çanta e shkollës me libra, e cila u sekuestrua në vendin e ngjarjes, më 18 nëntor.