Vjosa Osmani takohet me Elon Musk në rihapjen e Notre-Dame, Edi Rama i “spiunon” nga larg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me miliarderin Elon Musk, në cermoninë e inagurimit të katedrales “Notre-Dame” në Paris.

Siç duket edhe nga fotot Vjosa Osmani ka biseduar me miliarderin Elon Musk, të cilit Trump i ka premtuar post me rëndësi në qeveri, pasi ai të marrë zyrtarisht presidencën e SHBA me 20 janar të vitit 2025.

Presidentja shfaqet e buzëqeshur teksa bisedon me Musk, ndërsa kryeministri Rama i shikon nga larg, ulur në tavolinë.

Vjosa Osmani bëri më herët një postim në rrjetin e saj social në platformën “X” ku zbardhi detaje nga biseda me miliarderin Elon Musk.

“Me Elon Musk në Paris. Një bisedë e madhe për efikasitetin dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit gjithmonë të vullnetit të popullit”, shkroi Osmani në një postim në rrjetin social “X” (ish-Twitter).

Presidentja e Kosovës u takua gjithashtu në Paris edhe me presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump dhe me presidentin francez Emmanuel Macron.

Ceremonia e rihapjes së katderedales Notre-Dame në Paris shënon një moment historik për katedralen që u dëmtua rëndë nga zjarri i vitit 2019, e cila hapi këtë fundjavë dyert për publikun pas një restaurimi të gjatë dhe të detajuar.

Ngjarja mblodhi personalitete të shquara nga e gjithë bota për të nderuar historinë dhe simbolikën e kësaj katedraleje ikonike.


Shtuar 8.12.2024 23:33