Kura me sherebelë, mjaltë dhe spec djegës për fytin, kollën dhe gripin

Kur temperaturat kanë luhatje drastike, gjithmonë shoqërohen me raste në shtim të të prekurve me grip dhe me të ftohur.

Grupmoshat më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit. Në të tilla raste, shpesh antibiotikët nuk janë zgjidhje pasi kanë edhe efekte anësore.

Pas këshillimit me mjekun dhe mjekimeve përkatëse sipas simptomave, gjithmonë kurat natyrale janë ideale për të mposhtur virozat.

Ndaj AgroWeb.org ju këshillon një përzierje shumë efikase për të qetësuar kollën, për të ringjallur organizmin dhe për më shumë energji. Mjalti dhe sherebela janë dy dhurata të natyrës, që së bashku përbëjnë një superfuqi kundër virozave. Në Shqipëri sherebela është një bimë me shumë rëndësi.

Natyra na ka bekuar me këtë bimë medicinale endemike, duke e pasur me bollëk kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe.

Sherebela gjendet edhe në malësi të tjera të vendit të Veriut dhe të Jugut, aq sa dhe e eksportojmë në shumë vende të botës. Sipas burimeve të AgroWeb.org, sherebela shqiptare është shumë e kërkuar në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe Gjermani, për shkak të vlerave unike.

Përbërësit:

30 gramë gjethe të thata sherebele
Një majë luge piper i kuq djegës
3 gota ujë
Mjaltë, mundësisht mjaltë lulesh
Lëng limoni, sipas dëshirës
Mënyra e përgatitjes
Përzieni sherebelën, piperin dhe ujin në një enë. Vendosini në zjarr për vlim, pastaj ulni pak nxehtësinë dhe ziejini derisa uji të përgjysmohet.
Më pas hiqeni nga zjarri dhe lereni të ftohet pak. Shtypni gjethet e sherebelës brenda çajit, në mënyrë që të nxirrni sa më shumë lëng prej tyre. Më pas kullojeni.
Shtoni mjaltë për shije dhe lëngun e limonit. Pas ftohjes vendoseni në frigorifer dhe pini nga 1-2 lugë gjelle ose më shumë sipas nevojës për qetësimin e dhimbjes së fytit për kollën dhe për infeksionet në rrugët e frymëmarrjes.
Për të mos u neglizhuar.
Çaji i sherebelës këshillohet të mos përdoret tek gratë shtatëzëna.

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, sasi të mëdha të sherebelës mund të shkaktojnë rrahje të shpeshta të zemrës.

Nëse vuani nga diabeti, përdoreni vetëm me këshillimin e mjekut.


Shtuar 7.12.2024 20:46