Me urdhër të Prokurorit të SPAK, Ols Dado, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle jo vetëm në shtëpinë e Erion Veliajt, por edhe në Bashkinë e Tiranës.
Nuk dihet nëse është arritur të bëhet kontrolli, pasi për të kontrolluar zyrën duhet të jetë i pranishëm dhe vetë Veliaj, i cili ndodhet jashtë vendit, në Hamburg, Gjermani.
Disa agjentë kanë shkuar edhe në selinë e galerisë ‘Harabel’ që ndodhet në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ku kanë ushtruar kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Në lidhje me galerinë ‘Harabel’, janë bërë denoncime të shumta, se ka bërë pastrim parash.
Sipas faqes zyrtare të zonjës Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt, rezulton se ajo është themeluese, pronare dhe e punësuar e dy Galerive të artit, (“GURGUR” dhe “NAAN”), bashkëthemeluese dhe drejtoreshë artistike e një platforme arti (“HARABEL”) dhe Drejtoreshë e Përgjithshme e Festivalit të Dansit Bashkëkohor të Tiranës.
Në listën e aktiviteteve të Ajolës, Studioja Juridike e Partnerëve, ka rrëshqitur në fund të listës. Nuk dihet as nëse studioja zhvillon ndonjë veprimtari të vazhdueshme aktualisht.
Zonja Xoxa, 2 muaj pasi Erion Veliaj, nënshkroi dokumentin që i dha startin projektit të inceneratorit të Tiranës, ndërroi preferencat e veta profesionale.
Fondet për kurimin, promovimin dhe instalimin e veprës janë vënë në dispozicion të “Harabel”-it nga as më pak e as më shumë sesa nga “Integrated Energy”.
Por ka dalë në dritë një tjetër detaj.
Ajola Xoxa për “Harabel”-in e saj, i cili ndodhet në rrugën “Ibrahim Rugova” në zonën e ish-Bllokut, nuk paguan as qira dhe asnjë lloj financimi.
Pra, Ajola Xoxa, ka një hapësirë komerciale për të ngritur “Harabel”-in e saj për të cilin pranon haptazi se nuk paguan qira dhe asnjë lloj detyrimi financiar. Vetëm Ajola mund të sigurojë të tilla përfitime./Oranews