Gjykata e Tiranës, ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 27-vjeçarin, Julian Gjoshi nga Shijaku, i cili vrau me armë zjarri pasditen e 1 Dhjetorit 50-vjeçarin Alfred Dedja, i njohur me nofkën “Daku”, në ambientet e një lokali në Ndroq.
Gjoshi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i muncionit”.
Gjithashtu, togat e zeza kanë vendosur që të kryhet një akt ekspertim psikiatrik për 27-vjeçarin, për shkak të përdorimit të lëndës narkotike.
Avokati i tij i tha gjykatës se varësia nga droga dhe përdorimi ka ndikuar në aftësinë e tij psikike.
“Klienti im ka dy vjet që është regjistruar në repartin e toksikologjisë”, tha avokati i Julian Gjoshit.
Ky i fundit është një person me precedent penal, teksa është dhe kunati i Altin Hajrit, një prej personazheve më të njohura të krimit në Shijak, i shpallur prej disa vitesh në kërkim nga Policia.
Viktima dhe autori njiheshin prej vitesh me njëri-tjetrin, pasi Alfred Dedja kishte punuar (i paregjistruar) si menaxher në kompleksin “Golden” të Altin Hajrit në Shijak.
Në dëshminë e dhënë për grupin hetimor, Julian Gjoshi ka deklaruar se e vrau Alfred Dedjan, pasi ky i fundit e ofendonte vazhdimisht.
“Ndihesha i ofenduar, pasi sa herë që takoheshim më shante e ofendonte. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Ditën e ngjarjes e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë hajde se po të pres për kafe. Sapo u ul e qëllova me armë. Unë atë e kam mbajtur me lekë e bukë kur punonte menaxher te “Golden”, pronë e familjarëve të mi. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë. Pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve”, tha 27-vjeçari.
Gjithsesi, grupi hetimor nuk i ka përjashtuar as pistat e tjera, si prishja e pazareve të drogës.
Julian Gjoshi, u arratis pas krimit dhe automjetin e tij u gjet i braktisur në fshatin Shkallnur, teksa ai u vetëdorëzua pas 24 orësh pasi kishte kryer krimin në Policinë e Tiranës.