Jozefina Topalli me shqiptarët në Parma: Vota e emigrantëve është votë patriotike, të bëhemi bashkë për ndryshimin

E deleguara politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli, në takimin me shqiptarët në Parma të Italisë, u bëri thirrje që të bëhen pjesë ku sipas saj, e ndryshimit politik në Shqipëri.

Ajo theksoi se shqiptarët, kudo që ndodhen, janë një komb i bashkuar, që kujdeset për atdheun.

“Vota juaj nuk është thjesht një e drejtë, por një detyrë patriotike. Ju ftoj që të regjistroheni dhe të siguroheni që vota juaj të dëgjohet”, shprehet Topalli.

FJALA E JOZEFINA TOPALLIT NË PARMA:

Të dashur bashkatdhetarë,

Është një nder dhe kënaqësi të jem sot këtu mes jush, duke ndarë të njëjtat emocione për atdheun tonë të përbashkët, Shqipërinë.

Ju jeni pjesa më e ndritshme e kombit tonë, një urë e fortë që lidh vendin tonë me botën.
Sot dua t’ju bëj një thirrje të rëndësishme: Shqipëria ka nevojë për zërin tuaj.

Për herë të parë, diaspora shqiptare ka mundësinë reale të ndikojë në të ardhmen e vendit tonë përmes votës.

Kjo është një mundësi historike, jo vetëm për të zgjedhur drejtuesit tanë, por për të dhënë një mesazh të qartë: Shqiptarët, kudo që ndodhen, janë një komb i bashkuar, që kujdeset për atdheun.

Vota juaj nuk është thjesht një e drejtë, por një detyrë patriotike.

Ajo përfaqëson shpresën dhe përgjegjësinë për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, për ne dhe për brezat e ardhshëm.

Të gjithë së bashku mund të sjellim ndryshimin që duam të shohim.

Prandaj, ju ftoj që të regjistroheni dhe të siguroheni që vota juaj të dëgjohet.

Shqipëria ju pret, ashtu si gjithmonë, me zemër të hapur dhe me shpresën që diaspora të jetë një zë i fuqishëm i së ardhmes.

Bashkë mund të bëjmë më shumë. Faleminderit dhe le ta bëjmë këtë hap të rëndësishëm për vendin tonë!


Shtuar 1.12.2024 13:04