Erisa Xhixho: Dështimi i sistemit arsimor është përgjegjësi vetëm e Edi Ramës

Përmes një postimi në rrjetet sociale, nënkryetarja e Partisë së Lilrisë, Erisa Xhixho, shprehet se dështimi i sistemit arsimor, është përgjegjësi vetëm e Edi Ramës.

Xhixho ka listuar një sërë faktesh, ku sipas saj sistemi i qeverisjes së Edi Ramës, është dështim.

Postimi i Xhixhos:

Dështimi i sistemit arsimor është përgjegjësi vetëm e Edi Ramës.

Fakt është që në 12 vite kemi buxhetin për arsimin më të ulët në rajon.

Fakt është që rezultatet e testeve PISA treguan që kemi rënie drastike në matematikë, fizikë e letërsi dhe u renditëm në vend të 69 nga 80 vende.
Fakt është që kemi dështuar me kurrikulat dhe nxënësit nuk kuptojnë tekstet shkollore që u vihen përpara.

Fakt është që rreth 60% e 15-vjeçarëve janë analfabetë funksionalë.

Ngjarja e rëndë në shkollën “Fan Noli” tregoi qartë dështimin e kësaj qeverie edhe me sigurinë në shkolla.

Edi Rama dhe kjo qeveri në vend që të marrë përsipër përgjegjësitë, si gjithmonë fajin e hedh te të tjerët dhe po përpiqet ta gjejë fajtorin te rrjetet sociale.

Arsyet e degradimit të arsimit në Shqipëri nuk fshihen as pas Tik-Tokut, as pas Snapchat-it.

Ato lidhen direkt me keqqeverisjen prej shumë vitesh dhe mospasjen kurrë të arsimit prioritet.

Edi Rama nuk mund t’ia hedhë fajin Tik-Tokut për modelet që promovon, kur trafikantët dhe kriminelët i ka bërë vetë deputetë e u ka dhënë karrige ministrash e kryebashkiakësh.

Nuk e ka fajin Tik-Toku për shkretimin e shkollave që kthehen në shtëpi bari, si ajo në Vaun e Dejës.

Faji është i vetë qeverisë që ka rrënuar arsimin, duke detyruar shqiptarët të ikin për t’i rritur e arsimuar fëmijët e tyre jashtë Shqipërisë.

Modelet jo të mira që thotë se imponon Tik-Toku, Edi Rama i ka në shkollë.

Le të sjellim ndërmend drejtorin e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”, në Durrës, që shiste armë dhe drogë.

Kjo qeveri duhet ndeshkuar me forcë sepse nuk mbajti asnjë premtim për arsimin dhe e rrënoi!

Ne na duhet një pakt kombëtar për arsimin, të cilin duhet ta bëjmë prioritet kombëtar, pasi vetëm duke ringritur arsimin mund të ringremë Shqipërinë.


Shtuar 1.12.2024 12:51