Ditën e sotme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përmes një mesazhi ka uruar në ditën e tij të lindjes ish-presidentin e vendit Alfred Moisiu.
Në mesazhin e tij, Begaj shkruan; “I dashur President Moisiu, ju transmetoj urimet e mia më të përzemërta për shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe aktive”.
Më tej, Begaj ish-Presidentin Moisiu, s cilëson si një model frymëzues për autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare.
Ish-presidenti Alfred Moisiu, feston sot 95-vjetorin e tij të lindjes.
Mesazhi i presidentit Begaj:
“Njoftim për shtyp Tiranë, më 1.12.2025
I dashur President Moisiu,
Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e ngjarjes së gëzueshme të 95-vjetorit të datëlindjes Suaj, të bashkohem me familjarët, miqtë dhe dashamirësit tuaj të shumtë për t’ju transmetuar urimet e mia më të përzemërta për shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe aktive.
Në rrugëtimin historik të shtetit shqiptar, ju, i nderuar President Moisiu, keni dhënë kontribute të shumta e të çmuara, për të cilat populli shqiptar ju vlerëson me konsideratë të lartë.
Në moshën e adoleshencës, u u rreshtuat në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, për t’u përfshirë më pas në angazhime të rëndësishme dhe përgjegjësi shumë të larta, duke kulmuar me postin e Presidentit të vendit.
Në çdo hap që keni hedhur, Ju keni shkëlqyer!
Ju kontribuuat me përgjegjësi gjatë ushtrimit të detyrës së Kreut të Shtetit, veçanërisht në kohë zhvillimesh të vështira, por edhe me urtësi, ekuilibër dhe frymë përbashkuese në konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, parimit të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe forcimit të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Në këtë jubile mjaft të veçantë, të cilin ju e keni arritur me shumë përkushtim, punë të palodhur e atdhetari shembullore, duke u bërë model frymëzues për autoritetet shtetërore dhe politike shqiptare, është kënaqësi për mua t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta”.