Jozefina Topalli për lirimin e Berishës: Kreu i PD është një fuqi e natyrës, habiti miq e kundërshtarë

Këtë të mërkurë, Gjykata e Posaçme, ka hequr masën e arrestit në shtëpi, për kreun e Opozitës Sali Berisha.

Demokratja Jozefina Topalli, ka reaguar për lirimin e kreut të PD, Sali Berisha, nga arresti shtëpiak, duke u shprehur se; “pas 350 ditësh padrejtësie, Sali Berisha tregoi se kur njeriu ka të drejtën dhe guximin në zemër, as izolimi dhe as presioni nuk mund ta thyejnë“.

Topalli: Sot është një ditë shprese dhe vendosmërie. Pas 350 ditësh padrejtësie, Sali Berisha tregoi se kur njeriu ka të drejtën dhe guximin në zemër, as izolimi dhe as presioni nuk mund ta thyejnë.

Por kjo nuk është fundi, është fillimi. Tani është koha për të fituar kundër mafies dhe korrupsionit që ka kapur Shqipërinë. Është koha për të çliruar drejtësinë, për të mbrojtur të ardhmen dhe për të rikthyer dinjitetin e një kombi të lodhur nga padrejtësitë.

Sali Berisha, një fuqi e natyrës, edhe pse 80-vjeç, përballoi 350 ditë arrest shtëpie, pa asnjë provë dhe përballë një procesi politik të qartë për të dobësuar opozitën.

Por, edhe i mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë, ai nuk u ndal. Nga dritarja e tij, çdo ditë, frymëzoi dhe inspiroi shqiptarët me forcën e karakterit dhe besimin se padrejtësia nuk mund të fitojë.

Berisha tregoi se kur njeriu ka një kauzë dhe një zemër të fortë, as mosha dhe as izolimi nuk mund ta thyejnë. Ai habiti miq e kundërshtarë, duke u bërë simbol i qëndresës dhe shpresës për ndryshim.


Shtuar 27.11.2024 13:30