Kosova ka arritur të marrë një fitore me shumë vuajtje, 1-0 përballë Lituanisë në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve.
Muharrem Jashari ishte protagonist i kësaj sfide, për golin e shënuar në minutën e 5-të të sfidës, por dhe për kartonin e kuq të marrë në fundin e pjesës së parë.
Me 10 lojtarë gjatë gjithë pjesës së dytë, “Dardanët” vuajtën shumë për të ruajtur avantazhin, me lituanezët që u ndalën dy herë nga shtylla. Gjithsesi, në fund tri pikët shkuan për formacionin e drejtuar nga trajneri Franco Foda.
Kosova është e pozicionuar në vendin e dytë në Grupin C2 të Ligës së Kombeve me 12 pikë, ndërsa në vend të parë është Rumania me 15 pikë.
Në këtë situatë, gjithmonë nëse vendimi i UEFA-s nuk do ndryshojë gjendjen në tabelë, rumunët do të shkojnë në Ligën B, ndërsa “Dardanët” në play off.