Shkolla “Fan Noli” në zi/ Rrëfimi tronditës i shoqeve të 14-vjeçarit: Martini nuk ishte problematik

Ditën e djeshme në shkollën “Fan Noli” në kryeqytet, humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, i cili u qëllua me thikë nga bashkëmoshatatri i tij.

Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik dhe komunitetin e prindërve dhe të nxënësve.

A2 CNN ishte mëngjesin e sotëm në këtë shkollë, ku edhe pse është një ditë normale mësimi, pjesëmarrja është më pak se 50%.

Gazetarja Ornela Joti, bisedoi me disa nga nxënëset të cilat do të marrin pjesë në ceremoninë mortore, së bashku me mësuesit.

“Na thanë që orët do jenë normale po nuk besoj që do bëjmë mësim. Të gjithë jemi të tronditur. E kishim shok paralele, flisnim me të në korridore, thotë njëra prej tyre”.

Ndërsa një tjetër, tregoi e tronditur për momentin pas ngjarjes dhe tha se viktima nuk ishte nxënës problematik edhe pse sipas saj, e shanin dhe ziheshin me të, por ai nuk reagonte.

“Sapo kishim mbaruar orën e gjashtë dhe kur nga porta shoh gjak dhe njerëz të tronditur. Shoh shokun e tij që po vraponte për te poliklinika. Të gjithë ishin të tronditur, bërtisnin, qanin, shkonin te poliklinika, se nuk e dinin për shokun dhe vraponin te poliklinika. Kur pamë që ishin zënë. Nuk ka qenë asnjëherë problematik. E shanin, e rrihnin, ziheshin e ka injoruar dhe ai nuk reagonte”.


Shtuar 19.11.2024 10:16