Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka paraqitur kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako.
Bllako është i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur më 15 nëntor, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Nga aktet e administruara dhe gjatë hetimeve të kryera për kontratën koncensionare të vitit 2017 për ”Ndërtimin e landfillimit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. janë konstatuar akte korruptive të të pandehurit Alqi Bllako, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste; a. vlerën monetare prej 119.715 euro dhe b. vlerën monetare prej 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin.