Autoritetet filipinase, lëshuan një apel urgjent për banorët në zonat e ulëta dhe qytetet bregdetare që të evakuohen pasi tajfuni Man-Yi, fitoi forcë në afrimin e tij drejt ishullit kryesor të vendit, Luzon.
Man-Yi, cikloni i gjashtë tropikal që goditi Filipinet në një muaj, u intensifikua me erëra maksimale të qëndrueshme që arrinin 195 km/h, sipas agjencisë shtetërore të motit PAGASA.
Kjo i shtyu autoritetet të ngrinin alarmin për stuhi, në nivelin më të lartë për provincat Catanduanes dhe Camarines Sur në rajonin qendror Bicol, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ariel Nepomuceno, kreu i Zyrës së Mbrojtjes Civile, u bëri thirrje banorëve që të respektojnë urdhrat e evakuimit, pasi Man-Yi kërcënon të dërgojë shira të dendur dhe erëra të fuqishme që mund të shkaktojnë përmbytje dhe stuhi.
“Është më e rrezikshme tani për ata në zonat e prirura nga rrëshqitja e dheut, sepse toka është ngopur nga tajfunet e njëpasnjëshme”, tha Nepomuceno, duke paralajmëruar se valët e stuhisë mund të arrijnë 3 metra.
Bëhet e ditur se se tajfuni vazhdon të jetë një “situatë potencialisht katastrofike dhe kërcënuese për jetën”, për rajonin Bicol.
Më shumë se 500,000 njerëz në gjashtë provincat e rajonit janë evakuuar, ka njoftuar një zyrtar i fatkeqësive, duke shtuar se numri pritet të rritet pasi autoritetet lokale mobilizojnë më shumë banorë.
Ndryshe, mesatarisht, rreth 20 stuhi tropikale godasin Filipinet çdo vit, duke sjellë shi të dendur, erëra të forta dhe rrëshqitje vdekjeprurëse dheu.
Në tetor, stuhia tropikale Trami dhe tajfuni Kong-rey shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje të tokës që vranë 162 njerëz.