Për dy ditë me radhë, ka dështuar dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në Komisionin Hetimor Parlamentar për hetimin e Koncesioneve në Shëndetësi, teksa sot në mesnatë i përfundon afati komisionit.
Deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë debatuar me orë të tëra, për shkak se opozita kërkon zgjatjen e afatit të komisionit dhe thirrjen si dëshmimtar të kryeministrit Edi Rama dhe sipërmarrëses Vilma Nushi, e cila është përfituesja e koncesionit të check up-it, teksa socialistët po i mbrojnë në bllok ata.
Por, ndërkohë, këto dy ditë të “lirisë”, Ilir Beqaj, duket se i ka shfrytëzuar në maksimum për ngrënie dhe pirje, si dhe për takime speciale në Kryesinë e Kuvendit, siç është denoncuar nga opozita.
Madje në orët e para të mëngjesit të sotëm, Ilir Beqaj, shëtiste i lirë në Kryesinë e Kuvendit, duke u futur dhe në sallën ku po mbahej mbledhja e komisionit dhe duke kërcënuar deputetët e opozitës.
Rasti është denoncuar nga kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila në një postim në rrjetet sociale, shkruan se as Garda dhe as Policia nuk veprojnë ndaj Beqajt.
Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, pasi Beqaj kërcënoi deputetët, Vokshi urdhëron Gardën dhe Policinë për ta çuar atë sërish në qeli.
Por, sipas deputetes demokrate, edhe pas këtij skandali, Policia e Burgjeve, refuzoi të largonte Ilir Beqajn për ta kthyer në burg.
Vokshi shkruan më tej se Parlamenti ka rënë dhe se është në duart e atyre që i japin leje dhe garanci Ilir Beqajt të fusë mjete të forta, hunj e drunj në Kuvend, të shëtisë i lirë në çdo ambjent, e të kërcënojë deputetët e opozitës.