Këtë të mërkurë, Gjykata Administrative, ka marrë vendimin në lidhje me ankimimin e deputetëve të Partisë Demokratike, mbi dënimin nga Këshilli i Etikës për periudha të ndryshme kohore, që variojnë nga 40 deri në 60 ditë.
Raportohet se Administrativja shfuqizoi masat disiplinore, ndërsa vendimi u dha me ekzekutim të përkohshëm, pra aplikohet menjëherë.
Gjithashtu, mësohet se për deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati, është vendosur shfuqizim i pjesshëm duke lënë në fuqi përjashtimin me vetëm 10 ditë, pra nga data 3 deri me 13 tetor; ndërsa për deputetët e tjerë është lënë në fuqi përjashtimi me 5 ditë nga data 3 deri më datë 8 tetor.
Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi nga Grupi Parlamentar i PD.
“Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e Elisa Spiropalit, e cila në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores se kuvendit përjashtoi opozitën nga Kuvendi. Vendimi u dha me ekzekutim te përkohshëm, pra aplikohet menjëherë”, thuhet në vendim.
Por lidhur me këtë vendim, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i reu i të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit, me pezullimin e dënimit për përjashtimin e disa deputetëve të PD nga jeta parlamentare.
Reagimi: Dënimi PA LIGJ i opozitës, konfirmuar sot edhe nga Gjykata, provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Për fat të keq, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Kuvendi është kthyer si asnjëherë më parë në një çerdhe paligjshmërie, ku vepron forca e arrogancës dhe shkelja brutale e Kushtetutës.
Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian.
Ne presim me padurim që t’i vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime PA LIGJ, me tela hekuri dhe Forca Sigurie, që të futej në Kuvend. Është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale.
Ata që PA LIGJ penguan me Forca Sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës!