Mori 1000 euro rryshfet për të pushuar një çështje, SPAK dërgon për gjykim një zyrtare në Elbasan

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e Anila Dushkut, oficeres së Policisë Gjyqësore, e cila akuzohet për ryshfet. Dushku, e cila ndodhet nën masën “arrest shtëpie”, i ka marrë 68-vjeçares Hava Llogarsë ryfshet 1000 euro për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Sipas njoftimit të SPAK, nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë Dushku, me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me 68-vjeçaren duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr. 180 të vitit 2024 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurës:

A.D. e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.

Procedimi penal u nis nga Prokuroria e Posaçme, bazuar mbi pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, të cilat tregonin rastin korruptiv të oficeres së Policisë Gjyqësore, A.D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se e pandehura A.D. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në kërkimin dhe marrjen e përfitimit të paligjshëm (prej 1 000 eurosh) nga shtetasja H.Ll. kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Pasi u njoh me kërkesën e të pandehurës, shtetësja H.Ll i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” për ta bërë publik rastin.

Nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë e pandehura A.D. me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me shtetasen H.Ll, duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave.

Rasti u denoncua nga 68-vjeçarja në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku mësohet se ngjarja u zhvillua në zyrën e oficeres Anila Dushku, e cila pasi i merr ryshfetin i premton të moshuarës se do “të mbaronte punë”. Por, disa ditë pas kryerjes së pagesës, në adresën e denoncueses shkon një zarf i prokurorisë ku e njofton se ky organ i ka kërkuar gjykatës të pushojë hetimet, për shkak se vepra penale ndërtim pa leje është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë.


Shtuar 5.11.2024 17:43