Policia ka dalë me një tjetër reagim zyrtar lidhur me atentatin e sotëm në Dobraç të Shkodrës, ku dy persona kanë vdekur dhe dy janë në gjendje të rëndë në spital.
Sipas informacioneve, nga kontrolli në makinën ku udhëtonin viktima Hamza Lici dhe i plagosuri me plumb në kokë Arlind Bushati janë gjetur tre armë zjarri tip pistoletë.
Po ashtu bëhet me dije se gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike.
NJOFTIMI I POLICISË:
Shkodër/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë më parë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se:
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta).
Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.