Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës, që sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, cilësohet “mosbindje civile”.
Sikurse është njoftuar, protesta sapo ka nisur pikërisht në orën 17:00.
Në këtë tubim nga opozita tashmë janë shënuar disa paralizime të akseve kryesore të vendit, që po shoqërohen me rënien e borive të makinave të ndaluara, të cilat tashmë kanë krijuar radhë kilometrike.
Sipas njoftimit, segmentet rrugore që janë bllokuar: “Casa Italia – Sheshi Shqiponja”: (Degët e Tiranës dhe Qarkut Dibër); Rrethrrotullimi Milot: (Degët e Qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë); Rrethrrotullimi Shkozet: (Degët e Qarkut Durrës); Rrethrrotullimi Bradashesh: (Degët e Qarkut Elbasan dhe Korçë); Rrethrrotullimi Rrogozhinë: (Dega Kavajë, Rrogozhinë, Lushnjë dhe Divjakë); Rrethrrotullimi Levan: (Degët e Qarqeve Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër).
Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
“Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njoftoi një ditë më parë Policia e Shtetit.
Policia ka angazhuar 1200 efektivë në të gjithë vendin për mbarëvajtjen e protestës, por edhe të koordinuar trafikun në rast bllokimesh. Një ditë më parë, Partia Demokratike informoi Policinë e Shtetit për protestën që do të zgjasë 3 orë, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.