Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Fjoralba Dizdari në një deklaratë për mediat u shpreh se Shqipëria nuk thith dot as 1% të turistëve që vijnë në Mesdhe, ende nuk është ngritur Sistemi i Statistikave të dedikuar për turizmin SAT.
Deklarata e anëtares së Këshillit Kombëtar të PD, Fjoralba Dizdari:
Në një dalje publike Ministria e Turizmit, Znj. Kumbaro deklaroi se këtë vit Shqipëria deri në muajin Gusht është vizituar nga 8.5 milion vizitorë të huaj, ndërkohë që sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria për periudhën Janar – Korrik të këtij viti, është vizituar nga 6,4 milion të huaj, dhe vetëm 1,6 milion nga këta të huaj, kanë fjetur në struktura akomoduese, që do të thotë se shumë pak është harxhuar në strukturat akomoduese, hoteleri.
Pse kjo qeveri, që e ka aq për zemër turizmin, ende nuk e ka ngritur Sistemin e Statistikave të dedikuar për turizmin SAT (Satellite Açount of Tourism), të premtuar për këtë vit.
Statistikat që nxirren sot janë një kryqëzim i burimeve të ndryshme nga Instat, Tatimet, Ministria e Financave apo Bashkitë duke çoroditur opinionin publik me shifra laramane.
Ajo çka u reflektua sivjet në plazhet e vendit, është pikërisht dështimi i Qeverisë Shqiptare në manaxhimin e turizmit bregdetar. Sivjet, po ashtu qeveria dështoi me sukses, në menaxhimin e turizmit natyror, malor e ndërqytetas, si rezultat i mungesës së kapaciteteve akomoduese dhe linjave të transportit nga qyteti në qytet.
Kryeministri pretendoi në nisje të vitit “se për 2024 kishte rritje të prenotimeve në krahasim me 2023 në vend”, dhe madje ishin mbyllur rezervime edhe për vitin 2025, ndërkohë që vetëm pak javë më parë udhëzonte operatorët turistik vlonjatë që të ulnin çmimet pasi plazhet ishin bosh.
Shqipëria deri para pak ditësh nuk kishte një Strategji për zhvillimin e sektorit të turizmit të qëndrueshëm 2024-2030, por një strategji deri në vitin 2023. Ndonëse Ministria e Turizmit e kishte premtuar atë muaj më parë.
Mesdheu këtë vit do të vizitohet nga mbi 500 milion turistë dhe vetëm dy vendet fqinje, Greqia dhe Kroacia tërheqin rreth 10 % të këtyre vizitorëve, ndërkohë që Shqipëria nuk tërheq dot as 1 % të tyre.
Sipas Ministres së Turizmit, qeveria shqiptare ishte e kënaqur që bashkëkombësve tanë, shqiptarëve të Kosovës u ishin liberalizuar vizat, duke shpresuar gjithsesi të vizitonin bregdetin tonë, ndërkohë nga ana tjetër kjo qeveri ka gjobitur me dy taksa shqiptarët e veriut, që kërkojnë të aksesojnë plazhet e vendit!
Ministria e 800 tonëve mbetje të rrezikshme, deklaroi se impiantet e filtrimit të ujërave të ndotura që janë në Shqipëri, nuk i përballojnë kapacitetet e shtuara të qyteteve.
Pse nuk investohet në këtë drejtim, por rrezikojnë shëndetin e fëmijëve dhe pushuesve që lahen nëpër plazhe, duke e bërë Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë, për cilësinë e ujerave detare.
Këtë na e vërteton edhe raporti i Agjencisë Europiane të Mjedisit për cilësinë e ujerave detare, ku nga 29 vende të rajonit dhe Europës, Shqipëria është e pozicionuar e fundit.
Që Shqipëria të shndërrohet në një atraksion turistik, kërkohen më shumë se ‘letra strategjike’ dhe zotime televizive.