“Që nga ky moment, Topi i Artë nuk ekziston më për ne”. Ky është qëndrimi shumë i ashpër i Real Madridit pas lajmit se çmimi prestigjioz nuk do t’i jepet brazilianit Vinicius Jr, për të cilin shumë besonin se do të ishte fituesi dhe përkundrazi do të përfundojë në duart e mesfushorit të Manchester Cityt dhe Spanjës, Rodri.
Këtë e raporton “Marca”, duke shpjeguar se televizioni zyrtar i klubit ka anuluar programet speciale për të ndjekur çmimin.
Ishte vetë Vinicius ai që vendosi të mos merrte pjesë në mbrëmjen gala, me mbështetjen e shokëve të skuadrës.
Real Madrid kishte përgatitur një fluturim çarter që do të nisej rreth orës 15:00 me kapitenin, trajnerin, anëtarët e drejtuesve të ekipit dhe anëtarët e familjes. Rreth 50 persona. Por gjithçka u ndal disa minuta para nisjes, kur u zbulua se Vinicius nuk do të ishte fituesi.