EMRI/ Aksident i rëndë në aksin Delvinë-Kardhiq, përplaset për vdekje këmbësori, ngordh dhe lopa me gomarin

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Delvinë-Kardhiq, pranë fshatit Fushë Vërri, Bashkia Delvinë.

Një automjet ka përplasur një banor, i cili po ecte në rrugë së bashku me një lopë dhe një gomar.

Viktima është identifikuar si Luan Xhuvani rreth 72-vjeç. Aksidenti ka ndodhur tek rruga në fshatin Bajkaj.

Si pasojë e goditjes, banori ka humbur jetën në vend, ndërkohë edhe të dy kafshët kanë ngordhur nga përplasja.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi.

Njoftimi:

“Sot, rreth orës 03:45, në aksin rrugor Sarandë-Tuneli i Skërfices, në afërsi të rrethrrotullimit të fshatit Bajkaj, shtetasi E. O., 63-vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Benz” dhe ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin L. Xh., 72-vjeç, e më pas, është përplasur me një tjetër automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin V. G.

Si pasojë e aksidentit, shtetasi L. Xh. ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Sarandës.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi E. O., u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.


Shtuar 27.10.2024 08:07