Avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj ka dhënë një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancën në GJKKO.
Gjokutaj u shpreh se masa e sigurisë “arrest në burg” është një vendim politik ndaj Metës si një nga liderët e opozitës.
Para gazetarëve ai tha se këtë vendim do ta ankimoj.
“Është lideri i dytë opozitar dhe arsyeja e arrestimit të tij është me këtë cilësi. Ky është vendim i paralajmëruar. Në ato volume nuk ka asgjë. Ne bëmë mbrojtjen tonë. Ky është vendim politik që ne e prisnim dhe do ndjekim rrugën e ankimit sepse kjo është rruga që na garanton ligji”.
Sa i përket tensioneve në seancë gjatë paradites dhe tonit të lartë të zërit nga ish-Presidenti Meta që iu drejtua prokurorëve, avokati Gjokutaj u shpreh:
“Meta nuk e humbi qetësinë. Toni i lartë, argumenti, e vërteta thuhet me zë të lartë. Është në të drejtën e tij”.
Sa i përket akuzave të SPAK për korrupsionin e Ilir Metës në çështjen “CEZ-DIA”, avokati theksoi se nuk është përcaktuar shuma e parave që pretendohet se është marrë.
“Shuma e papërcaktuar është e pamarrë. Vetëm në prokurorinë shqiptare thuhet që janë marrë ca lekë po nuk thuhet sa. Këto janë të gjitha mashtrime. Sa për punën e biznesmenëve, Meta ka njohje dhe njohja nuk është miqësi”.
Edhe pagesën e lobimit në SHBA, avokati e hodhi poshtë.
“Çështja e lobimit është nul sepse nuk është ekzekutuar. Meta ka vajtur në Amerikë në cilësinë e kryetarit të Kuvendit”.
Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë arrest në burg ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.