Shpërndarja dhe shitja e informacioneve sekrete shtetërore, nga Jurgis Çyrbja, gjatë kohës kur ka mbajtur detyrën e deputetit të Kuvvendit të Shqipërisë dhe anëtarit të Komisionit të Sigurisë, ka sjellë arrestimin e funksionarit Publik dhe izolimin e tij në paraburgimin e Durrësit.
Përmes bisedave në aplikacionin “Sky”, Jurgis Çyrbja, ka biseduar me personin Altin Hajri, i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në Shijak, duke e informuar Hajrin për një seri planesh operacionale të Policisë së Shtetit, me qëllim kapjen e Altin Hajrit.
Këto informacione Jurgis Çyrbja, i merte nga punonjës policie.
Ndaj që pak ditë më parë një prokuror i SPAK, i është drejtuar me një kërkesë Drejtorisë Vendore Durrës dhe Policisë së Shtetit, për t`i vënë në dispozicion çdo plan operacional, apo informacion që kanë mbledhur për në rrugë operative, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e Altin Hajrit.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se qëllimi i kësaj “gjuetie” të nisur nga SPAK, është për të mësuar emrat e punonjësve që kanë hartuar këto plane operacionale dhe policëve që kanë pasur akses në këto informacione, që më pas ia ka dërguar deputetit të asaj kohe Jurgis Çyrbja.
Dhe ky i fundit ia ka nisur më tej personit në kërkim Altin Hajri, në mënyrë që ky i fundit të merrte masa me qëllim fshehjen e tij për të mos u kapur nga policia, që shkonte në Shijak dhe Durrës për ta kapur.