“Agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë”, Osmani vizitë pune në SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku po merr pjesë në disa aktivitete që lidhen me “Axhendën për gratë, paqen dhe sigurinë”.

Përmes rrjeteve sociale presidentja Osmani informon se është takuar fillimisht me përfaqësues në Institutin Ndërkombëtar Republikan (IRI), ku u diskutua mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë, partneritetet, gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe të ardhmen e Kosovës.

Gjithashtu gjatë vizitës, Osmani ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë dhe Urdhrin e Pavarësisë disa personalitete amerikane, të cilët sipas saj, “përmes përpjekjeve të tyre të pandërprera dhe angazhimit të palëkundur për paqen, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, Ambasadori William Walker, Kongresisti i ndjerë Tom Lantos, Ambasadori Daniel Fried, Josh Black dhe Mira Ricardel janë disa nga aleatët tanë amerikanë që kanë lënë një trashëgimi, e cila do të kujtohet gjithmonë me përulësi nga populli i Kosovës. Mbështetja e tyre ka formësuar të kaluarën tonë, fuqizon të tashmen tonë dhe frymëzon të ardhmen tonë!”.

Bashkëpunimi ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimi digjital ishin në qendër të diskutimeve në takime me lidershipin e Dhomës Amerikane të Tregtisë (American Chamber of Commerce), si dhe me përfaqësuesit nga Google dhe Amazon.

“Diskutuam për perspektivën ekonomike të vendit tonë dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Synimi ynë është përfshirja e plotë dhe e saktë e Kosovës në platformat më të mëdha digjitale globale, për të fuqizuar sektorin privat në vend, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe për të avancuar më tej marrëdhëniet tona bilaterale”, shkruan presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.


Shtuar 20.10.2024 17:30