Berisha flet për median italiane: Pakti Itali-Shqipëri, ka probleme serioze ligjore

Ish-kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për median italiane “La Presse”, lidhur me paktin mes Italisë dhe Shqipërisë për qendrat e refugjatëve.

Berisha tha se marrëveshja Romë-Tiranë, ka probleme serioze ligjore. Sipas tij, Edi Rama është kampion i blofit dhe do të mbrohet duke thënë se kjo nuk ka lidhje me vendin e tij.

“Unë e kam kundërshtuar këtë marrëveshje që në fillim për arsyen kryesore dhe të vetme: problemet e pamohueshme ligjore që lindin në raste të ngjashme, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Vendimi i Gjykatës së Romës është padyshim një problem serioz”, tha kreu i Partisë Demokratike Shqiptare për ‘La Presse’.

“Për sa i përket pasojave të këtij vendimi për Edi Ramën, ky i fundit është aktualisht kampion i blofit në Europë dhe më gjerë. Tani do të mbrohet dhe do të thotë se kjo nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por me Italinë”, u shpreh Berisha.