E trishtë/ Ra nga kati i tretë i ballkonit, humb jetën në moshën 31-vjeçare ylli i “One Direction”

Ish-këngëtari i grupit pop ‘One Direction’, Liam Payne, humbi jeten ditën djeshme në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires.

Lajmi u konfirmoi nga policia lokale, që tha se muzikanti britanik 31-vjeçar gjeti vdekjen, pasi ra nga kati i tretë i ballkonit të dhomës së tij të hotelit.

Nëpërmjet një deklarate policia tha se ishte njoftuar për një “person të seksit mashkull, agresiv, e që mund të ishte nën efektin e drogës dhe alkoolit”.

Punonjësit e urgjencës konfirmuan vdekjen e këngëtarit, që u gjet në oborrin e brendshëm të hotelit në lagjen Palermo.

“Zemrat tona janë absolutisht të thyera. Urojmë që familja e të dashurit e tij të gjejnë forcë në këtë moment të vështirë”, tha dega e MTV-së në Amerikën Latine, në një postim në platformën e mediave sociale X.

Liam Payne, fitoi famë botërore si pjesë e grupit pop tashmë të shpërbërë ‘One Direction’, së bashku me Harry Styles, Zayn Malik, Niall Horan dhe Louis Tomlinson.

Grupi i djemve u shpërbë në vitin 2016, pasi anëtarët e tij vijuan me projekte të ndryshme, përfshirë karriera si solistë.

Gjatë një interviste për televizionin lokal ‘Todo Noticias’ Hernan Palazzon, punonjës i hotelit në lagjen Palermo tha se “lagjja është shumë e tronditur… ka shumë polici, e fansa që po vijnë. Është diçka shumë e trishtë”, shtoi ai.

Në fillim të këtij muaji, Liam Payne, kishte marrë pjesë në koncertin e shokut të tij Niall Horan, në Buenos Aires. Payne dhe Horan të dy kanë kënduar për ‘One Direction’.

Muzikanti ka qenë i hapur në media për betejën e tij, me varësinë nga droga dhe për kohën që ka shpenzuar në një institucion rehabilitimi.

Më herët të mërkurën, në një postim në Snapchat ai fliste për udhëtimin e tij në Argjentinë, se kishte luajtur polo dhe se priste me padurim të kthehej në shtëpi për të parë qenin.

“Është një ditë e bukur këtu në Argjentin”, thoshte ai në një video.


Shtuar 17.10.2024 08:12