Arrestohet në Teheran ish-gazetari i REL-it dhe shtetasi amerikano-iranian

Një ish-gazetar i Radios Evropa e Lirë (REL), i cili u kthye në Iran pas shumë vjetësh jashtë vendit, është arrestuar në Teheran, tha një burim për REL-in më 15 tetor.

Reza Valizadeh, i cili ka shtetësi të dyfishtë iraniane dhe amerikane, u arrestua rreth tri javë më parë dhe përballet me akuza, përfshirë për bashkëpunim me media në gjuhën persishte jashtë vendit, tha njëri nga të afërmit e tij për REL-in.

Zyrtarët iranianë nuk e kanë komentuar ende arrestimin e Valizadehit.

Valizadeh e la punën si anëtar i stafit të Radios Farda të REL-it në nëntor 2022 dhe qëndroi jashtë vendit për një kohë.

Në postimin e tij të fundit në X më 13 gusht, Valizadeh tha se kishte udhëtuar për në Teheran më 16 mars.
Ai tha se bisedimet “kishin mbetur në gjysmë” me agjencinë inteligjente të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, por në fund u kthye në Iran pas 14 vjetëve duke marrë përgjegjësinë mbi supet e veta dhe “pa asnjë letër besimi, qoftë verbalisht”.

Nuk është e qartë se në çfarë rrethanash e shkroi këtë postim.

Shumë iranianë me shtetësi të dyfishtë janë arrestuar nga agjencitë e sigurimit dhe janë akuzuar për kryerjen e krimeve të ndryshme. Shumica e pronave të tyre janë konfiskuar apo bllokuar, dhe në disa raste, pjesëtarët e familjeve të tyre brenda Iranit janë përballur me trysni për t’i detyruar këta njerëz të kthehen në Iran.

Irani akuzohet se u bën trysni qeverive të huaja t’i plotësojnë kërkesat e tij duke i arrestuar jashtëligjshëm, apo duke i “marrë peng” shtetasit e huaj, përfshirë ata me shtetësi të dyfishtë./ REL


Shtuar 15.10.2024 22:36