Albin Kurti uron Shqipërinë: U uroj rrugëtim pa pengesa drejt BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Shqipërinë në këtë ditë historike të rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin evropian.

Kurti u uron shqiptarëve një rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi.

Ndër të tjera ai shkruan se nga ky rrugëtim do të mësojë edhe Kosova në mësime dhe përvoja.

“Me vendimin për hapjen e kapitujve të parë për anëtarësim në familjen evropiane, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nga sot filloi një kapitull të ri e vendimtar.

I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi.

Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona. Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”, shkruan ai ndër të tjera.


Shtuar 15.10.2024 18:52