Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të vizitojë Greqinë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje për çështjet dypalëshe, duke përfshirë zonat detare dhe hapësirën ajrore. Lajmin e bëri të ditur të shtunën presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Erdogan, i cili po kthehej nga një vizitë zyrtare në Serbi, tha se beson se marrëdhëniet mes dy vendeve po përparojnë drejt ditëve më të mira.
“Është e rëndësishme që të dyja palët të kenë vullnetin për të përcaktuar problemet, për të përshkruar dhe paraqitur përmbajtjen e tyre dhe për të gjetur zgjidhje,” njofton presidenca.
Fqinjët Greqia dhe Turqia, të dyja aleatë të NATO-s, por armiq historikë, kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada për një sërë çështjesh nga hapësira ajrore deri te juridiksioni detar në Mesdheun lindor dhe Qipron e ndarë etnikisht.