Ditën e sotme, në një deklaratë për mediat, anëtarja e këshillit bashkiak të Tiranës, Silva Caka, deklaroi se, “Edi Rama, në bashkëpunim me Erion Veliajn dhe kryebashkiakët e tjerë, si dhe drejtoreshën e Kadastrës, kanë vendosur të vjedhin pronat e qytetarëve shqiptarë”.
Ajo foli për ndryshimin, ku sipas saj, në qershor të këtij viti ku u vendosën kornizat për procedurat e bashkëpunimit mes institucioneve të administratës shtetërore.
Ky ndryshim, sipas saj krijon një grup të strukturuar kriminal, i cili do të identifikojë ndërtimet e palegalizuara dhe do të vendosë nëse duhen legalizuar apo jo.
Sakaq, Caka shprehet se qeveria kthehet në amnistuese të atyre që deri dje i konsideronte shkelës të ligjit.
Gjithashtu, Caka renditi disa nga arsyet e kësaj qasjeje.
“Së pari, në relacionin e sjellë në këshillin bashkiak theksohet se nëpërmjet marrëveshjes së bashkëpunimit mes bashkisë së Tiranës dhe Kadastrës, do të ngrihet një grup i përbashkët pune, i cili do të dalë në terren dhe do të identifikojë ndërtimet pa leje brenda territorit të bashkisë, kryesisht në zonat me prioritet për t’u zhvilluar.
Por, që kur institucionet e shtetit dalkan në terren për të identifikuar ndërtimet pa leje dhe për t’i legalizuar ato, kur ndërtimi pa leje konsiderohet vepër penale?
Një tjetër qëllim i këtij krimi, është ai i favorizimit të paligjshëm që bashkia do t’u bëjë klientëve të saj, të cilët kanë betonizuar Tiranën.
Një tjetër arsye ka të bëjë me përpjekjet për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ku nëpërmjet kësaj strukture kriminale, qytetarët do të mbahen nën presion për votën e tyre, nëpërmjet dokumenteve të legalizimit të ndërtimeve pa leje”, tha Caka.
“Kjo vendimmarrje kriminale, nuk bën asgjë tjetër veçse nxit ndërtimin e paligjshëm dhe e kthen shtetin dhe institucionet e tij në grabitqarë dhe gjobëvënësa”, deklaroi ajo, teksa theksoi se Partia e Lirisë e ka paralajmëruar vite më parë zhvatjen e pronës private.