Kryeministri i RMV-së, Mickoski: Ky dimër do të jetë sfidues në planin energjetik, shkak lufta në Ukrainë

Kryeministri Hristian Mickoski deklaroi sot se viti i ardhshëm do të jetë sfidues në pjesën e energjetikës sepse pret rritje të çmimit të energjisë elektrike në bursat në Evropë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë. Thotë se si shtet jemi të gatshëm dhe do të përgjigjemi në të gjitha sfidat.

“Kam ndjenjën se ky dimër do të jetë mjaft sfidues jo për shkak të temperaturave, por për shkak të situatës që po ndodh në Ukrainë ku sistemi elektrik është shkatërruar plotësisht dhe Ukraina po merr energji nga Evropa që do të thotë se do të rrisë çmimin e energjisë elektrike në bursat e Evropës dhe do ta zvogëlojë sasinë, prandaj ne duhet të jemi të gatshëm”, theksoi Mickoski, duke shtuar se pret krizë energjetike në njëfarë kuptimi në Evropë.

Mickoski siguron se puna në SHA EMV është normalizuar edhe pse kompania ka trashëguar borxh prej pesë miliardë denarë dhe paralajmëroi se shumë shpejtë do të ketë përgjegjësi për ata që e lanë kompaninë në situatë të tillë.

“Të jeni të sigurt se është normalizuar puna e kompanisë dhe do të ketë përgjegjësi për atë se çka ka ndodhur, por nga kjo nuk do të bëjmë estradë dhe teatër.

Shumë shpejt prej sot do të theksohen personat të cilët janë fajtorë për situatën në të cilën është lënë kompania”, tha Mickoski.

Sipas informacioneve të cilat i disponon, tha se borxhi për import të qymyrit është rreth një miliardë e gjysmë dhe se pas bisedimeve të bëra me kompanitë ka pasur ulje të faturave përafërsisht prej pesë milionë euro, përderisa në bazë të gërmimit të thëngjillit janë gjetur borxhe prej dy miliardë denarë.

Hidrologjia, siç theksoi, është gati e zbrazët gjegjësisht diku në 24-25 për qind, ndërsa nuk janë bërë as remontet e rregullta.

Lidhur me deklaratën e kryetares së Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Vlladanka Trajkoska se kishin pritje të larta, por se në 100 ditët e para të punës së Qeverisë nuk është bërë asgjë, kryeministri tha se ishte i befasuar nga deklarata e tillë.

“Edhe unë u befasova dhe iu lajmërova disa biznesmenëve dhe odave dhe ata kanë qëndrim të kundërt.

Është mirë që t’i pyesni odat ekonomike të tu japin qëndrim, ndërsa është mirë të pyesni edhe pse kryetarja e OPM-së kishte qëndrim të tillë pa e konsultuar asnjërin nga punëdhënësit”, tha Mickoski.

Kryetarja e OPM të martën deklaroi se kanë pritur që Qeveria të kuptojë problemet e tyre me të cilat përballen gjatë punës siç janë rritja e prodhimtarisë, mungesa e fuqisë së punës dhe infrastruktura.

“Ajo që prisnim ishin pritshmëri shumë të mëdha, por nuk morëm pothuajse asgjë. Prisnim që kjo Qeveri të kuptonte biznesin, për të gjitha ato kriza që po përballemi, por ajo që u fol në periudhën e kaluar ishte vetëm rritja e pagave të administratës publike, marrja e kredive për komunat, anashkalimi i problemeve me të cilat përballet ekonomia në fushën e produktivitetit dhe mungesës së fuqisë punëtore, që do të thotë me një fjalë asgjë”, deklaroi Trajkoska.


Shtuar 3.10.2024 14:48