Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, mbajti një ligjëratë në New Haven, ku foli për progresin demokratik të Kosovës dhe rrezikun në rritje nga Rusia dhe Serbia.
Kurti theksoi se Kosova është ndër vendet që iu bashkua sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke vënë në pah se Serbia ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës.
Ai përmendi lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre nuk është thjesht historik apo fetar, por i bazuar në interesa ekonomike dhe ideologjike.
Sipas tij, Rusia ka një kontroll të madh mbi industrinë energjetike serbe, dhe investimet ruse në Serbi janë rritur ndjeshëm që nga pushtimi i Ukrainës.
Kurti shtoi se ndikimi rus në Serbi shtrihet përtej sektorit të energjisë, duke përfshirë universitetet, mediat dhe sferën intelektuale.
Serbia mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk ka kundërshtuar asnjëherë agresionet e saj, përfshirë luftën në Gjeorgji dhe pushtimin e Ukrainës në vitin 2014.
Gjithashtu, Kurti vuri në dukje edhe rolin e Kinës si partner kryesor tregtar i Serbisë jashtë BE-së.