Vrasja e komandantit të Hezbollahut, reagon Iraku dhe paralajmëron Izraelin: Ka kaluar vijën e kuqe

Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani dënoi vrasjen e komandantit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, duke e cilësuar një “krim”.

Sulmi i së premtes në bastionin e Hezbollahut në Bejrutin jugor që vrau udhëheqësin e grupit të mbështetur nga Irani ishte një “sulm i turpshëm” dhe “një krim që tregon se entiteti sionist ka kaluar të gjitha vijat e kuqe”, tha Sudani në një deklaratë, duke e quajtur Nasrallah “një martir në rrugën e të drejtëve”.

Grupi Hezbollah konfirmoi njoftimin për vrasjen në një deklaratë në të cilën thuhet se Hassan Nasrallahu “u është bashkuar bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë”.

Në deklaratë Hezbollahu zotohet të “vazhdojë luftën e shenjtë kundër armikut dhe në mbështetje të Palestinës”.

Hassan Nasrallahu udhëhoqi grupin militant për më shumë se tre dekada.

Ushtria izraelite tha se disa komandantë të lartë të Hezbollahut u vranë së bashku me Hassan Nasrallahun në një sulm të fuqishëm ajror të premten. Ushtria tha se kreu një sulm ajror preciz ndërsa udhëheqja e Hezbollahut po zhvillonte një takim në selinë e saj në Dahiyeh, në jug të Bejrutit.


Shtuar 28.09.2024 16:39