Përcillet sot në banesën e fundit ish-deputeti Gert Bogdani, do zhvillohen homazhe në nderim të tij në Kuvend

Ditën e djeshme, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u largua në mënyrë të parakohshme nga jeta pas një arresti kardiak, do të përcillet sot për në banesën e fundit.

Kuvendi i Shqipërisë, njoftoi një ditë më parë se seanca plenare që ishte planifikuar për të enjten do të shtyhet, pasi do të hapë dyert për homazhet në nderim të ish-deputetit.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani, u nda nga jeta para kohe në moshën 44-vjeçare pas një arresti kardiak, ndërsa po zhvillonte një takim me disa miq të tij në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në një reagim prekës në rrjete sociale, bashkëshortja e tij, aktivistja Edlira Çepani, lajmëroi se ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës.

“Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e nesërme dt. 19 Shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”, shkroi ajo.

Profil/ Kush ishte Gerti Bogdani?

Jeta e Gerti Bogdanit për fat të keq nuk ishte ishte e gjatë, por në 44 vitet e tij, arriti të linte shenjë në politikë.

Ai ishte studenti ekselent, i cili braktisi Shtetet e Bashkuar të Amerikës për tu rikthyer në vitin 2005 në Shqipëri ku hodhi hapat e para të karrierës së tij politike pranë Partisë Demokratike.

Në 2007 ai fitoi garën e parë elektorale të tij në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku u zgjodh kryetar i Minibashkisë numër 10 në Tiranë, e cila ishte dhe lagjja e tij ku u rrit.

Ai veshi për herë të parë xhaketën e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të 2009, mandat të cilin e rinovoi edhe në garën elektorale të 2013.

Paralelisht me mandatin e ligjvënësit ai drejtoi Forumin Rinor të Partisë Demokratike, si dhe mbajti postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë të PD-së, detyre nga e cila hoqi dorë në vitin 2019 pasi politika nuk ishte me ne planet e tij.

Gara e fundit elektorale për Gerti Bogdanin, ishin primaret e Sali Berishës, ku kërkoi te ishte kandidat për Bashkinë e Tiranës, por në sfidën e zhvilluar në 2022 në Partine Demokratike ai nuk fitoi dot.

Baba i dy vajzave dhe bashkëshort i aktivistet Edlira Çepani, Gerti Bogdani, vitet e fundit ishte tërhequr nga politika aktive, për sfida të reja, të cilat u ndërprenë në mes për shkak se zemra e tij pushoi së rrahuri para kohe për nga një arrest kardiak.


Shtuar 19.09.2024 07:52