Vazhdon dhuna ndaj mjekëve në Itali, një pacient rreh tre infermierë

Pas rastit të disa ditëve më parë, ku familjarët e një vajze dhunuan mjekët në Itali, tre infermierë të tjerë janë dhunuar mbrëmjen e së djelës nga një pacient. Siç raportohet një pacient shkoi në spitalin e Policlinico Riuniti në Foggia për të marrë trajtim nga ankthi dhe gjatë gjendjes së tij të rënduar emocionale, ai goditi me grusht tre infermierë. Pas këtyre sulmeve mjekët, sërish, kanë vendosur të zhvillojnë një tjetër grevë, pasi rastet e dhunës ndaj tyre janë në rritje.
Gjithashtu sindikata e mjekëve ka kërkuar një takim me ministrinë. Sekretarja e sindikatës së mjekëve, i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa urgjente, të rritet siguria ndaj mjekëve dhe të ndalohet dhuna në spitale ose pranë tyre. Ndërkohë sindikata e mjekëve ka njoftuar të gjithë stafin mjekësorë që t’u bashkohen demostratës që është planifikuar të mbahet më 16 shtator në Itali. Javën e kaluar në repartin e kirurgjisë u dhunuan kirurgët, anestezistët dhe personeli tjetër mjekësor, pasi familja e një pacienteje mësoi se ajo ndërroi jetë.
Rreth 50 persona hynë në repart, dhe afërsisht 20 prej tyre u përplasën me personelin mjekësor.  Një kirurg u godit në fytyrë, duke pësuar plagë të rënda, ndërsa një mjek tjetër pësoi thyerje të dorës. Stafi arriti të futej në një dhomë dhe lajmëroi policinë, e cila me vështirësi arriti të rikthente qetësinë në spital. Vajza ishte përfshirë në një aksident automobilistik dhe duhej të operohej por fatkeqisht nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.


Shtuar 9.09.2024 16:44

Tags: ,