“U kujdesën ta nxirrnin zbathur”, Hoxha për arrestimin e Marklen Hakës: Vrasja e hallës në atentatin që u bë ndaj tij e riktheu në botën e krimit

Gazetari Artan Hoxha, ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë Marklen Haka, anëtar i bandës së Niklës. I ftuar në News 24, Hoxha tha se Marklen Haka është një personazh kompleks që vjen nga zona e Niklës, një zonë që ai e përshkruan si “qendra e trekëndëshit të Bermudës” për botën e krimit të organizuar në vend. Hoxha e karakterizon këtë zonë si një “oaz” ku prodhohen vazhdimisht individë të lidhur me krimin e organizuar.

Në lidhje me arrestimin e Hakës, Hoxha ka theksuar se në pamjet e publikuara nga policia, Haka u shfaq i zbathur, një detaj që ai e sheh si një mesazh të qartë për të tjerët në botën e krimit.
“Policia të arreston, por të jep mundësinë të vishesh. Në rastin konkret, ata u kujdesën ta nxirrnin zbathur. Ky ishte një mesazh për të tjerët, jo për atë,” ka deklaruar Hoxha.

Hoxha tha se Marklen Haka ka një histori të ndërlikuar. Ai është arrestuar më parë në vitin 2011 për vrasje dhe është bërë objekt i një atentati në vitin 2019, gjatë të cilit u vra halla e tij dhe ai u plagos rëndë. Ky atentat sipas Hoxhës e riktheu atë në skenën e krimit. Gazetari ka përmendur se Haka ka dërguar informacion te Emiljano Shullazi, i cili ia ka pasuar atë kundërshtarëve të Hakës. Dy persona që janë konsideruar si të mundshëm financues të atentatit ndaj Hakës janë Arben Ndoka, ish-deputet i PS-së, dhe Ervis Martinaj.

Në lidhje me kapjen e Hakës, Hoxha ka zbuluar se ai u ndjek nga policia me ndihmën e dronëve dhe u mbikëqyr për një kohë të gjatë. Ai ka qenë në kontakt të ngushtë me një kushëri të tij, i cili gjithashtu ishte në kërkim. Ai u shpreh se Marklen Haka nuk ka shkuar kurrë në Dubai, dhe arrestimi i tij ndodhi vetëm 400 metra larg nga banesa e tij, ku ai kishte qenë në një vizitë te kushëriri i tij.


Shtuar 7.09.2024 19:10

Tags: ,