41 milionë euro më shumë për pensionet në tetor

Sipas ministrit të ri të Financave, Petrit Malaj, qeveria ka ndarë 4.1 miliardë lekë më shumë, ose 41 milionë euro plus për indeksimin e pensioneve në tetor 2024.

Pensionet indeksohen (rriten), me treguesin e përkushtuar të çmimeve mesatare të ushqimeve bazë dhe të shërbimeve si ilaçet bazë për pensionistët.

Ky indeks (tregues) nuk është sa indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve, që ne e quajmë inflacion, por më i lartë, edhe për periudhën tetor 2023-shtator 2024, periudhë në të cilën INSTAT mat inflacionin e dedikuar për mallrat dhe shërbimet e shportës, pra indeksin e pensionistëve. Nga ky indeks, qeveria indekson, rrit pensionet.

Indeksi parashikohet të dalë në intervalin 4-5 për qind në tetor të këtij viti, ngaqë dukshëm çmimet e ushqimeve bazë të popullsisë janë rritur më shumë se inflacioni i përgjithshëm këtë periudhë.

Po ashtu, edhe ilaçet bazë. Nëse indeksi i pensionistëve del 5 për qind, i bie që një pensionist me pension 300 mijë lekë të vjetra në muaj, do të marrë nga 1 tetori 2024, 15 mijë lekë më shumë çdo muaj.

Sigurisht nuk është shumë, por është diçka për pensionistët tanë. Shtimi i mirë i të ardhurave buxhetore këtë vit pritet të sjellë edhe një paketë tjetër ndihme për kategoritë më në nevojë.

Pra, përveç indeksimit që pensionistët do ta kenë në tetor të këtij viti dhe bonusin e fundvitit që do ta marrin në dhjetor 2024, ministri Malaj dha lajmin tjetër të mirë që qeveria po diskuton një paketë mbështetje ekonomike për familjet në nevojë. Ka ardhur koha që kjo paketë të jepet dhe të jetë e fortë.

“Kushtet i kemi që të adresojmë edhe një paketë ndihme për familjet në nevojë”, u shpreh ministri i Financave.

Ministri i ri e quajti sfidë të qeverisë, por edhe personale të tij çështjen e pensioneve.

Ministria e Financave po punon edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj.

Na duhet një skemë e dukshme, që siguron pensione më të larta për të 717 mijë pensionistët tanë. Për këtë, duhet rishikuar skema aktuale e pensioneve.

Ministria e Financave, ka ngritur grupet e punës dhe po punon me ekspertë të Bankës Botërore. Ministri i Financave Malaj, bën shumë mirë që e ka edhe një sfidë personale rritjen e ndjeshme të pensioneve.

Reforma e plotë e pensioneve nënkupton pensione në tri shtylla: pensioni shtetëror, pensioni privat i detyrueshëm dhe pensioni privat vullnetar.

Këto tri shtylla, i kanë të gjitha vendet e zhvilluara të familjes së madhe të Bashkimit Evropian, ku po shkojmë, por edhe disa vende të rajonit.

Në nivel të raportit mes deficitit të pensioneve dhe të ardhurave buxhetore, jemi shteti me raportin më të lartë në rajon dhe ndoshta në të gjithë Evropën. Pra, me deficitin më problematik.

Çfarë e rëndon më shumë këtë raport, është përqindja ende e madhe e punëve në të zezë, me kontribut zero në skemë, si dhe e pagave të trukuara në sektorin privat.

Zgjidhja për uljen e punëve në të zezë dhe të evazionit përmes pagave të trukuara, është fuqizimi i kontrolleve të detajuara të inspektorëve të punës dhe shtimi me herë i gjobave, në rastet e gjetjes së punëve në të zezë dhe pagave të trukuara.

Si dhe kontrolli mbi inspektorët e punës, pasi mund të jenë korruptuar nga kompanitë private në zonat ku veprojnë dhe sigurojnë mes korrupsionit një rrogë të dytë apo të tretë, për të mbyllur njërin apo të dyja sytë, ndaj pagave të trukuara e punëve në të zezë të kompanive. Skema jonë e pensionit është gjithnjë e më shumë në funksion dhe mëshirë të numrave të emigrimit ekonomik.

Nga 10 qytetarë që i largohen sot Shqipërisë, 9 janë persona në moshë për punë, apo studentë dhe fëmijë. Vetëm një është pensionist, që largohet për bashkim familjar me fëmijët e tij në emigracion.

Kështu që edhe raporti kontribuues-përfitues te skema jonë e pensioneve publike i ngjan lëkurës së shagenit. Ka tendencë të vijojë të qëndrojë e tkurrur pranë njëshit, me shtytje për t’u ulur akoma, por kurrsesi për t’u rritur ndjeshëm.

Për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë. Skema jonë e pensioneve përmirësohet ndjeshëm, vetëm nëse fusim shtyllën e dytë, atë të pensioneve private të detyruara. Sikurse kemi sigurimin privat të detyruar të makinave. Kjo skemë ka funksionuar në vende shumë të ngjashme me ne për nga të ardhurat dhe fuqia blerëse e popullsisë, sikurse është Maqedonia e Veriut.

Maqedonasit patën kurajon ta nisnin këtë reformë që në vitin 2005. Tani, gati dy dekada më vonë, pensioni mesatar në Maqedoninë e Veriut është 350 euro, ose gati dy herë më i lartë se tek ne. Edhe Kosova po ecën me shpejtësi drejt shtimit të ndjeshëm të pensioneve të veta. Ajo ka tri shtylla të dukshme të skemës së pensioneve: pensionin shtetëror, pensionin e detyrueshëm privat dhe pensionin privat vullnetar. Ne na mungon shtylla e dytë krejtësisht.


Shtuar 6.09.2024 11:56