Trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, OSBE trajnim për zyrtarët e Policisë, SPAK dhe BKH

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi një trajnim dyditor me temë trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Sektorëve për Hetimin e Trafiqeve të Policisë së Shtetit Shqiptar në nivel qendror dhe vendor, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Për organizimin e kësaj veprimtarie, Prezenca bashkëpunoi me Programin Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale (ICITAP) të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara.
Dy ekspertë nga Zyra Federale e Policisë Kriminale Gjermane (BKA) dhe tre ekspertë nga Policia Kombëtare Holandeze, me përvojë të bollshme në trafikimin e armëve të zjarrit, prezantuan dhe ndanë përvojat, praktikat më të mira dhe studimet konkrete të forcave të tyre policore.

Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë dhe diskutimit të hapur, ekspertët krijuan një platformë për bashkëpunim të mëtejshëm e të ngushtë dhe hetime të përbashkëta.

Trajnimi kishte për synim të përmirësonte aftësitë dhe metodat hetimore e analitike të agjencive ligjzbatuese shqiptare, veçanërisht në marrjen e informacionit cilësor e të besueshëm, duke përdorur teknika hetimore speciale në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit.

Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Mbështetja e agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”, i cili synon të mbështesë e ndihmojë agjencitë ligjzbatuese shqiptare në luftimin e krimit të organizuar kombëtar e ndërkombëtar dhe krimeve të rënda në mënyrë efektive e në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë e rajonalë.


Shtuar 4.09.2024 16:49