Në një deklaratë për media, zëvendës-Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin lidhur me gjendjen e arsimit në Shqipëri, duke theksuar se shpopullimi masiv dhe mungesa e shpresës, kanë çuar në mbylljen e 295 shkollave 9-vjeçare në të gjithë vendin.
Sipas Xhixhos, humbja e një të katërtës së shkollave gjatë një dekade, është një kambanë alarmi për situatën e rëndë në të cilën ndodhet Shqipëria.
Gjithashtu, Xhixho theksoi se Shqipëria ka humbur 30% të nxënësve ndërmjet viteve 2011 dhe 2023.
Ajo e përshkroi këtë si një panoramë shumë të zymtë për të nisur vitin e ri shkollor, duke mos përmendur shkollat që mund të kenë mbyllur dyert gjatë vitit të kaluar.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë!
Shpopullimi masiv dhe mungesa e shpresës u kanë mbyllur dyert plot 295 shkollave 9-vjeçare në të gjithë vendin . Humbja e një të katërtës së shkollave të vendit përgjatë një dhjetëvjeçari është kambana më ulëritëse e alarmit për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria sot.
Shqipëria ka humbur 30% të nxënësve ndërmjet viteve 2011 dhe 2023.
Nuk mund të ketë një panoramë më të zymtë, se kaq për të nisur vitin e ri shkollor, pa përmendur këtu shkollat që mund të kenë mbyllur dyert në vitin shkollor që lamë pas. Fatkeqësisht, largimi i banorëve të fshatrave dhe qyteteve të Shqipërisë fut në një rreth vicioz edhe ata që mbeten mbrapa. Shpopullimi sjell efektin zinxhir të mbylljes graduale të shkollave dhe shërbimeve deri në zbrazjen e plotë të fshatrave e qyteteve.
Zonat rurale janë ato që e kanë vuajtur të parat mbylljen e shkollave, duke çuar drejt emigrimit të detyruar edhe familjet e mbetura. Arsimi në Shqipëri është në ditët e tij më të zeza dhe këtë e konfirmojnë përditë shifrat zyrtare. Mungesa e financimit sa vjen dhe e zgjeron gropën e madhe që është hapur në sistem. Para viteve 90’, Shqipëria e financonte këtë sektor me më shumë se 4-5% të PBB. Sot, për arsimin jepet vetëm 2.1% e PBB-së, dhe 20% më pak se buxheti që japin vendet e rajonit.
Rezultatet e testeve PISA vulosën dështimin e kësaj qeveri në arsim përgjatë vitit shkollor që lamë pas. Mungesa e mësuesve, pagat e pamjaftueshme, trupa pedagogjike që sa vjen e tkurret dhe kaosi me kurrikulat janë vetëm disa prej simptomave të sëmundjes që është përhapur në të gjithësistemin. Ndërkohë që Edi Rama dhe Ministria e Arsimit, Ogerta Manastirliu, vazhdojnë me mashtrimet si çdo fillim viti shkollor për libra falas për nxënësit.
E vërteta është që librat janë TË PËRDORUR dhe JO të rinj. Mijëra nxënës e nisin vitin e ri shkollor me tekste të papërdorshme, çka i detyron prindërit të blejnë tekste të reja nga e para duke rritur koston e papërballueshme për ta. Me këtë situatë dramatike të mbylljes së shkollave, një qeveri e përgjegjshme, do t’i kishte pajisur me tekste të reja falas të rinj të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar pa përjashtim.
Por qeveria e plehrave ka prioritet vjedhjet galopante të inceneratorëve që nuk ekzistojnë, të drejtorëve 5 D dhe të vetmet ligje që ka interes mafia e plehrave, kërkon t’i sjellë në Kuvend për ta kthyer Shqipërinë në kosh mbetjesh të gjithë botës.
Buxhet ka, para ka, por ato shkojnë për mafian dhe grupin e strukturuar kriminal që drejtohet nga Edi Rama. Shqipëria sot eksporton të rinj, intelektualë e krah pune dhe importon mbetje sepse mafia e plehrave ka për qëllim ta kthejë këtë vend në të pajetueshëm për shqiptarët…
Kjo duhet ndalur sot me çdo mjet!
Partia e Lirisë e sheh arsimin si mekanzimin kryesor me të cilin mund të luftohet shpopullimi masiv i vendit. Së bashku me investimin te kapitali njerëzor, arsimi mbetet në qendër të planit tonë me pesë prioritete. Ne do të dyfishojmë buxhetin për arsimin, kërkimin shkencor dhe inovacionin. Niveli i buxhetimit do të jetë 5% e PBB. Reformimi i thellë i kurrikulave do të bëhet nga ekspertë të fushës, larg çdo pazari apo ndikimi politik. Mësuesia do të konsiderohet degë prioritare dhe do të shoqërohet me mbështetje financiare për studentët dhe mësuesit.
Do të trajtohen me investime prioritare degët e teknologjisë dhe informacionit. Ne do ta kthejmë sistemin arsimor, në një arenë ku edukohen dhe stërviten qytetarë të angazhuar, me njohuri të plota mbi shtetin ligjor dhe demokracinë. Ne do ta bëjmë shkollën institucionin që formon qytetarë që mendojnë në mënyrë kritike, që janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe i mbrojnë ato me cdo mjet demokratik përballë padrejtësisë. Vetëm duke ringritur arsimin, mund të ringremë Shqipërinë!