Rishikimi i buxhetit/ Dorian Teliti: E gjitha për pasurimin e Ramës dhe oborrtarëve të pushtetit

Në një deklaratë për media nga selia e Partisë Demokratike, këshilltari për Çështjet Ekonomike, Dorian Teliti, tha se rishikimi i buxhetit u bë për pasurimin e Ramës dhe oborrtarëve të pushtetit.

Teliti deklaron se në një akt terësisht në shkelje në normave të shëndosha të menaxhimit financiar, qeveria i ka hapur rrugën tenderimeve të vitit të ardhshëm që ato të fillojnë procedurat që në shtator të këtij viti, ndonëse buxheti i vitit 2025 do të vijë për diskutim në Kuvendin e Shqipërise në nëntor të vitit koherent.

Partia Demokratike, fton qytetarët të reagojnë kundër abuzuesve dhe çdokujt që e trajton buxhetin e shtetit si pronë private, e jo si një instrument për të përmirësuar jetesën e çdo shqiptari.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë!

Dy ditë më parë, na u prezantua buxheti i rishikuar i vitit aktual. Për kë ishin këto ndryshime në buxhet? Cilat sfida, halle dhe probleme adreson? A vjen në mbështetje të biznesit te vogël e të mesëm, sipërmarrjes dhe prodhuesve?

Jo, nuk flet fare për ta. Zero paketa mbështetëse, asnjë lehtësim tatimor.

A vjen ky buxhet në ndihmë të pensionistëve dhe shtresave në nevojë?

Jo, mundohen të gënjejnë shqiptarët me gjysma gjeli në fund vit dhe me gjoja indeksime pensionesh, duke refuzuar vendosjen e minimumit jetik, propozim të cilin PD e ka dorëzuar në Kuvend që prej qershorit.

Për më tepër kanë vendosur që të ulin me 1.2 milionë euro fondin vjetor për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë.

A vjen ky buxhet në ndihmë të ish të përndjekurve politike? Jo!

Po kujt i duheshin atëherë këto ndryshime në buxhet?

I duheshin forcimit të mëtejshëm të shtetit policor, sidomos në këtë periudhë parazgjedhore, ku qeveria do të rrisë me plot 500 numrin e efektivëve në terren.

I duhej pronarëve “de jure” dhe “de facto” të koncesioneve qindra milionëshe, të cilëve financimi jo vetëm qe nuk u preket ndonëse disa procedura janë tashmë në hetim dhe gjykim, por u rritet, dhe janë këta të parët që paguhen sapo fatura u shkon për likuidim në degën e thesarit.

I duhej luksit qeveritar, që tashmë kanë vendosur ta rrisin e të shpenzojnë edhe 50 milionë euro shtesë për shpenzimet e tyre operative. Sikur të mos mjaftonin këto para, kanë rritur edhe me 1.7 milionë euro fondin vjetor për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionet luksoze të vilave qeveritare.

I duhej miqve ndërtues të procesit të rindërtimit, të cilët pasi morën tendera shumë milionëshe euro pa garë dhe me procedura të përshpejtuara e ne kufi të fondit të fryrë limit, me premtimin se procesi i rindërtimit do përfundonte brenda një apo dy viteve të para-ndonëse jemi në vitin e pestë- qytetarët ende s’kanë hyrë në shtëpitë e tyre, këta ndërtues do të marrin edhe 20 milionë euro shtesë, nga bujaria e qeverisë me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

I duhej shiritave elektorale për zgjedhjet e ardhshme, ku tafmaja e madhe për të hapur sa më shumë tendera mbizotëron ndaj financimit të projekteve në vazhdim, duke i lënë ende të pambyllyra projekte të rëndësishme si Rruga e Arbrit apo Unaza e Tiranës.

Për më tepër, në një akt terësisht në shkelje në normave të shëndosha të menaxhimit financiar, qeveria i ka hapur rrugën tenderimeve të vitit të ardhshëm që ato të fillojnë procedurat që në shtator të këtij viti, ndonëse buxheti i vitit 2025 do të vijë për diskutim në Kuvendin e Shqipërise në nëntor të vitit koherent.

Asnjë përmiresim per ju në buxhet, gjithçka per pasurimin e mëtejshëm te Ramës dhe oborrtarëve të pushtetit.

Me çdo mjet demokratik, Partia Demokratike ju fton të reagoni kundër abuzuesve dhe çdokujt që e trajton buxhetin e shtetit si pronë private, jo si një instrument për të përmirësuar jetesën e çdo shqiptari.


Shtuar 31.08.2024 14:48