Kosovë, shpërthim pranë ish-komunës paralele të Leposaviçit

Policia e Kosovës, tha se pas mesnatës është hedhur një mjet shpërthyes në afërsi të objektit, ku më herët gjendej komuna që vepronte sipas sistemit të Serbisë.

Në njoftimin e policisë, tha se mjeti shpërthyes dyshohet të ketë qenë shok-bombë.

“Nuk raportohet për lëndime, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore”, tha Policia e Kosovës.

Njoftimi për këtë incident në Veri, vjen një ditë pasi Policia e Kosovës zhvilloi një aksion në katër komunat në veri për mbylljen e pesë komunave serbe, që vepronin sipas sistemit të Serbisë.

Gjatë aksionit të 30 gushtit, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se janë mbyllur Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviçit.

Ky aksion është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ka qenë veprim i pakoordinuar.


Shtuar 31.08.2024 11:46