Hyn në fuqi Akti Normativ, si do shpërndahen të ardhurat shtesë të buxhetit

Akti Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2024 ka hyrë në fuqi pas publikimit një ditë më parë në fletoren zyrtare. Si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave buxheti për vitin 2024 u rrit me rreth 27 miliardë lekë.

Në total, të ardhurat shkuan në vlerën 714 068 milionë lekë, shpenzimet 771 348 milionë lekë dhe deficit 57 280 milionë lekë.

Këto të ardhura shtesë u shpërndanë në mënyrë që të kenë një ndikim më të lartë social dhe drejt atyre sektorëve që kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Referuar tabelave që shoqërojnë ndryshimet,në buxhet, një shtesë prej 6.6 miliardë lekësh u akordua në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili arriti pas ndryshimeve në 74,3 miliardë lekë, nga 67.7 miliardë lekë.

Konkretisht shtesa ka shkuar për programin e transportit rrugor. Fondet për këtë program arrijnë në 33 miliardë lekë nga 26 miliardë lekë që ishin në buxhetin aktual.

Një shtesë prej 600 milionë lekësh në zërin “Shpenzime kapitale” në programin “menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes” të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural akordohet me vendim të Këshillit të Ministrave për financimin e objekteve, pajisjeve dhe makinerive të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytja për bashkitë.

Një fond prej 500 milionë lekësh shtohet në programin buxhetor “zhvillimi rural, duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun” përdoret për skemën e mbështetjes me grante për investime në ferma, në vlerën e plotë prej 1 500 milionë lekësh, që financohet edhe në vitet e ardhshme buxhetore”.

Një shtesë prej 150 milionë lekësh shkon për programin “zhvillimi i sportit” të ministrisë përgjegjëse për sportin përdoret sipas përcaktimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 4,137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3,650 milionë lekë. Ky fond ndahet midis skemave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin 61, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar.

Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 3 700 milionë lekë dhe ndahen sipas skemave, në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.

Nga fondi i papërdorur i shpronësimeve në llogarinë e Bankës së Shqipërisë, shuma prej 8 000 milionë lekësh derdhet në buxhet, si e ardhur jotatimore.


Shtuar 30.08.2024 11:57