Nga Tirana në Dibër, prisnin drutë e pyllit për ti bërë qymyr! Në hetim specialisti i pyjeve dhe 2 banorë

Prisnin lëndë drusore në mënyrë të paligjshme dhe ndiznin zjarre për të prodhura qymyr. Ndodh në Dibër. Veprimtaria u zbulua nga policia e Dibrës gjatë kontrollit të territorit.

Në vendin e quajtur “Krej-Lurë”, kanë konstatuar të grumbulluara 15m³ lëndë drusore, si dhe disa gropa të mbushura me dru zjarri, ku më pas i ndiznin për prodhimin e qymyrit të drurit.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky aktivitet i paligjshëm kryhej nga shtetasi L.K., 54 vjeç, banues në Tiranë, dhe shtetasi B.D., 53 vjeç, banues në Lurë. Për këto dy shtetas u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Fshehja e të ardhurave”.

Po në vijim të veprimeve hetimore nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin F.B., me detyrë specialist pyjesh në zonën e Krej-Lurës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15m³ lëndë drusore dhe sasi të mëdha qymyri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme


Shtuar 22.08.2024 10:20