“Onkologjiku”, Vokshi: Padi në SPAK për vrasje me dashje, ndaj Edi Ramës, ministrave dhe drejtuesve të QSUT-së

Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka bërë padi në SPAK ndaj Edi Ramës, ministrave të shëndetësisë së qeverisjeve të Rilindjes, drejtuesve dhe ish-drejtuesve të QSUT-së, si dhe shefave të shërbimeve dhe personelit përgjegjës.

Vokshi ka bërë padi për vrasje me dashje dhe akuza të tjera ndaj personave të mësipërm, në lidhje me skandalin e Onkologjikut dhe vazhdueshmërinë e këtij skandali.

DEKLARATA E DEPUTETES SE PD, ALBANA VOKSHI:

Para disa javësh, i gjithë opinioni publik u trondit me skandalin te onkologjiku. Të premtuar ‘shëndetësi falas’ nga Edi Rama, shqiptarët jo vetëm po paguajnë nga xhepi më shumë se çdo vend tjetër (mbi 60% – sipas Bankës Botërore), por shpesh nuk marrin as shërbim shëndetësor një e drejtë kjo kushtetuese.

Pas publikimit të skandalit, Edi Rama nxitoi t’ia hidhte fajin mjekëve e nuk mori asnjë masë. Ministrja e Shëndetësisë u neverit prej mjekëve e nuk mori asnjë masë. Shefja e shërbimit dhe Drejtoresha e QSUT as analizuan situatën,as reaguan, madje pranuan si pa të keq të gjitha mungesat në medikamente, kura, mungesën e funksionimit të pajisjeve dhe aparaturave në Onkologjik.

Ajo çka ndodhi të onkologjiku është veç një tjetër skandal, në radhën e gjatë të skandaleve të kësaj qeverie, me ndryshimin e vetëm, që çdo ditë që zgjat ky skandal, çdo ditë që nuk reagohet, më shumë pacientëve ju përkeqësohet shëndeti, më shumë humbin jetën.

Sot, gjendja në onkologjik vijon e njëjtë!!!

Vazhdojnë mungesat në disa medikamente, në disa kura. Vijon mosfunksionimi i aparaturave dhe pajisjeve të trajtimit. Dje kanë mbërritur denoncime të tjera pranë Partisë Demokratike për mosfunksionimin e aparaturave, ose dera e aparaturës nuk punon ose aparatura nuk funksionon. Në vend që të bëhen 5 herë në javë terapi, pacientëve ju mundësohet vetëm dy herë në javë, ose një herë në javë, ose asnjë herë.

Në shkrimin e tij të fundit gazetari Osman Stafa ka trajtuar raste të dhimbshme ku mjekët e njohin mirë situatën por heshtin, të pacientëve dhe familjarëve që edhe pse ju mohohet një e drejtë kushtetuese për shërbim shëndetësor, vuajnë në heshtje, nuk guxojnë të flasin!!!

Po çfarë ka më keq se sa rëndimi i shëndetit? A ka më të rëndësishme se jeta???

Asgjë nuk ka!!Pranimi kësaj situate, heshtja, nuk sjell kurat, pajisjet, shërbimin!!! Vetëm nënshtrimin ndaj asaj që shkruan duke vjedhur e grabitur qeveria Rilindase!!

Nuk ka skandal më të madh se të ndërhyhet në sistem o line të farmacisë, të heqësh datën e skadencës dhe ilaçet e skaduara ti kalosh në pavionin e fëmijëve!!! Kryeministri Rama heshti, Ministrja Koçiu heshti. QSUT mashtroi!

Këto janë krime!!! Që mbeten të pandëshkuara!!

PD jo vetëm e ka denoncuar, deputetët e PD kanë kërkuar interpelanca, dëgjesa në komision, por personalisht kam kallëzuar penalisht në SPAK çdo person që ka shpërdoruar detyrë, ka vjedhur, apo nuk ka reaguar ndaj situatës.


Shtuar 16.08.2024 12:45