Biznesmeni vlonjat Vasil Bedinaj është përfshirë në një sherr për hapësirat e plazhit në Vlorë. Sherri ka degjeneruar në dhunë pasi Bedinaj ka goditur me grusht një qytetar.
Biznesmeni i rrjetit të hoteleve “Regina Group” shfaqet në video teksa debaton me qytetarin për zonat e zëna të plazhit dhe pas konfliktit verbal, e sulmon fizikisht.
Policia e Vlorës ka sqaruar se ngjarja i përket datës 8 korrik, dhe policia ka dhënë edhe një deklaratë po në atë datë, ku bëhet me dije se ndaj biznesmenit Vasil Bedinaj ka nisur procedim penal. Policia ka nisur procedim penal edhe ndaj palës tjetër e cila ka dëmtuar makinën e biznesmenit.
Vasil Bedinaj është një sipërmarrës i njohur në jug. Kjo nuk është hera e parë që ndaj tij nis procedim penal.
Në vitin 2013 ai u hetua në gjendje të lirë pasi u kap duke ndërtuar pa leje në zonën e Radhimës.
Në vitin 2016, Bedinajt iu bë edhe një atentat me eksploziv C-4 në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë, por atentati ndaj dështoi.
Njoftimi i policisë për ngjarjen e datës 8 korrik:
Komisariati i Policisë Vlorë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. B., F. B. dhe M. R., pasi ditën e djeshme, në Radhimë, dyshohet se kanë goditur me grushte shtetasin D. B., për motive të dobëta. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin D. B. dhe punohet për kapjen e shtetasve A. B., E. B. dhe J. B., pasi dyshohet se gjatë konfliktit, kanë dëmtuar me mjete të forta, automjetin e shtetasit V. B.