Në 40% të tyre nuk banon askush, të dhënat e Censit: Ja sa hyrje në pallate janë bosh

Sektori i ndërtimit në vendin tonë, është në një fazë të vrullshme të zhvillimit të pallateve e kullave në zona urbane, por të dhënat e Cens 2023 zbuluan se një pjesë e banesave në pallate, rreth 40 për qind e tyre në të gjithë vendin, nuk banohen nga askush.

Sipas të dhënave të Cens në të gjithë vendin, numërohen 431 mijë banesa në pallate nga të cilat 170,264 janë bosh dhe mbi 261 mijë ishin të banuara.

Banesat bosh janë një pasuri prej miliarda eurosh, që është ngrirë në formën e një investimi që nuk gjeneron të ardhura dhe punësim.

Burimet nga tregu pohojnë se një pjesë e madhe e banesave bosh, janë në qytetet e mëdha të vendit dhe sidomos në Tiranë dhe Durrës. Sipas tyre, stoku i banesave bosh është krijuar nga emigrimi i familjeve, të cilët nuk kanë planifikuar qiradhënien.

Ndërsa pjesa më e madhe e stokut, u takon investimeve që kanë bërë individë brenda dhe jashtë vendit.

Shpesh banesat e blera për investime dhe të padhëna me qira, janë pjesë një zinxhiri të përdorur për pastrimin e parave të bëra në mënyrë të paligjshme.

Teksa sektori i ndërtimit ka mbiofertë për banesa, Këshilli i Rregullimit të Territorit, lëshoi leje për ndërtimin e kullave deri në 100 kate muajin e fundit.

Në kontrast, ndërsa oferta për banesa shtohet popullsia e vendit, po tkurret me shpejtësi nga emigracioni i lartë dhe nga rënia e lindjeve.

Sipas të dhënave të Cens 2011, popullsia e vendit u tkurr me 14.8 për qind ose mbi 400 mijë persona.

Për më tepër, struktura e popullsisë është në plakje të shpejtë. Ndërmjet 2011 dhe 2023, mosha mesatare e popullsisë së vendit u rrit me 7.5 vite.

Një popullsi më e vjetër në moshë, nuk ka interesa për të investuar në pasuri të paluajtshme.

Censi 2023 numëroi 1.082.529 banesa të zakonshme me 2023. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47,0 për qind të këtyre banesave, ndërsa 39,9 për qind e tyre janë pallate.

Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara (8,1 për qind) dhe shtëpi në rend tarracor (5,0 për qind).

Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 (67,1 për qind) banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9 për qind banesave zakonshme të pabanuara.

Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 për qind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 për qind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 për qind.

Përafërsisht në përqindje të barabarta, banesat e zakonshme ishin ndërtuar në periudhën që nga viti 2001 (36,4 për qind), dhe në periudhën 20-vjeçare 1981-2000 (37,5 për qind), ndërkaq rreth një e katërta (26,1 për qind) ishin ndërtuar para vitit 1981.

Rreth një e katërta (26,1 për qind) e banesave të zakonshme janë ndërtuar para vitit 1981 dhe përafërsisht në përqindje të barabarta, në periudha 20 vjeçare, 1981-2000 ishin ndërtuar 37,5 për qind, dhe që prej vitit 2001 e në vijim janë ndërtuar 36,4 për qind. /Monitor

 


Shtuar 8.08.2024 07:23